Tiranë | 70 mijë euro për binjakëzimin e bashkive

Bashkimi Evropian i akordoi një grant prej 70 mijë eurosh, Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, për të mbështetur projektin“Fuqizimi i kapaciteteve të bashkive shqiptare, nëpërmjet programit të binjakëzimit të bashkive”, pjesë e programit “Evropa për qytetarët”, ku janë të përfshirë 9 partnerë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë Lulzim Basha tha se binjakëzimi do t’u japë mundësinë e ndërveprimit dhe shkëmbimit të eksperiencave, jo vetëm drejtuesve vendorë por të gjithëve, që nga të rinjtë, intelektualët e deri tek qytetarët më të thjeshtë. “Shqiptarët sot, – tha Basha, kanë shumë për t’i treguar botës, për artin, kulturën, historinë etj”. Jam i bindur se ky projekt do të nxisë bashkitë tona, për të bashkëpunuar më ngushtësisht me bashkitë e shteteve anëtare dhe në këtë kuadër do të jetë edhe një kontribut për afrimin më të shpejtë të Shqipërisë në praktikat e BE, sepse në fund të fundit në horizontin tonë politik, edhe të pushtetit vendor ka dhe mund të ketë vetëm një objektiv, përfundimi i procesit të integrimit evropian të vendit”. Ministri i Brendshëm Flamur Noka e ka konsideruar këtë proces shumë të rëndësishëm, në forcimin e kapaciteteve të njësive vendore, për të tërhequr sa më shumë fonde për projektet e tyre dhe në këtë mënyrë, për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve. Ministri Noka shprehu kënaqësinë, që Shoqata e Bashkive të Shqipërisë po kryen sot misionin e saj, si një shoqatë sa më gjithëpërfshirëse. Ambasadori i BE-së Ettore Sequi e ka konsideruar shumë të rëndësishëm rolin e pushtetit vendor, në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe konsolidimin e demokracisë. Për këtë arsye, Sequi premtoi se ndihma e bashkimit evropian, në realizimin e projekteve të pushtetit vendor do të vazhdojë të jetë e konsiderueshme. “BE u ofron ndihmë autoriteteve shqiptare, për të përmirësuar infrastrukturën rurale, lidhur me një akses më të thjeshtë ndaj shërbimeve themelore dhe tregjeve për banorët e zonave rurale, për të përmirësuar ujësjellës – kanalizimet dhe për të nxitur turizimin dhe trashëgiminë kulturore në zonat vendore. Autoritetet vendore e rajonale, së bashku me Shoqatën e Bashkive janë aktorët kryesorë, në bashkëpunimin ndërkufitar, gjithashtu. Ata janë kyç, në dialogun dhe bashkëpunimin midis banorëve nga vende të ndryshme dhe komunitetet, në shkëmbimet ndërkulturore dhe në nxitjen e të drejtave të minoriteteve në nivel vendor dhe rajonal”, theksoi Ambasadori i BE-së Ettore Sequi.

Advertisement