Stuhia në Vlorë, mblidhet Shtabi i Emergjencave. Panariti shkon në Fier

Reshjet e shumta të shiut të rëna në orët e mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës kanë krijuar probleme të mëdha në rrethin e Vlorës.

Reshjet kanë rritur ndjeshëm prurjet në Lumin e Vjosës, që rrezikon të dalë nga shtrati. Më problematike paraqitet situata në Urën e Mifolit ku rrezikohen katër banesa.
Për të vlerësuar situatën u mblodh paraditen e së shtunës Shtabi i Emergjencave Civile, ku parësore ishte shmangia e tragjedive.
Përveç përmbytjeve, reshjet e shumta dhe era e fortë e natës së premte shkaktoi edhe një sërë defektesh teknike në rrjetin elektrik e për pasojë disa zona mbeten pa energji për disa orë.
Situatë e rënduar në furnizimin me energji elektrike ishte edhe në rrethin e Lushnjes ku stuhia dëmtoi të 28 fidrat e furnizimit. Grupet e punës të OSHEE kanë riparuar 25 prej tyre duke rikthyer energjinë në pjesën më të madhe të rrethit dhe po vijon puna për riparimin edhe të 3 fidrave të tjerë.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti është nisur drejt Fierit për të parë nga afër gjendjen e hidrovorëve, të cilët nuk punon prej dy ditësh për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Ai i ka bërë thirrje OSHEE-së të rikthejë energjinë në hidrovorët e Fierit, sepse situata është shqetësuese.
“Mua nuk më duhet furnizimi me energji elektrike në kohë të thatë, por nevojitet energji edhe në kohë reshjesh, pasi rrezikohet përmbytja edhe e vetë hidrovorëve, përveç përmbytjeve që mund të shkaktohen në qytetin e Fierit”, deklaroi Panariti.
Edhe banorët e Fierit, që jetojnë pranë lumit Gjanica, janë paralajmëruar të jenë të kujdesshëm në rast të intensifikimit të reshjeve të shiut.

Advertisement