SPAK zbarkon te shtëpitë e Arben Ahmetajt, del lista e pronave…

Me urdhër të Prokurorisë se Posaçme, agjentë të Byrosë Kombëtare te Hetimit kanë zbarkuar ne shtëpitë e bashkëshortes dhe ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt.

Kontrollet u zhvilluan në Gjirin e Lalëzit si dhe zonën e ish-Bllokut. Sipas burimeve, në banesën e Erjola Hoxhës janë gjetur edhe 30 mijë euro

Advertisement

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në banesat e bashkëshortes dhe ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt, ish zv/kryeministrit. Aksioni i Prokurorisë së Posaçme vjen pas deklaratë së kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.

Ndërkohë që burimet nga SPAK bëjnë me dije se që prej datës 6 mars të këtij viti, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin pasuror ndaj Ahmetajt.

Në një procesverbal të kësaj date, që Syri TV e disponon, evidentohen pasuritë në emër të Albina Mackas dhe Erjola Hoxhës. Bëhet fjalë për dhjetëra faqe dokumentesh, kontratash dhe shitblerje objektesh, shumica banimi, në pronësi të këtyre shtetaseve. Ato ndodhen në Gjirin e Lalëzit, në ‘Green Coast’, apartament në Bllok apo edhe ne Valamar.

Sipas të njëjtave, burime mësohet se në banesën e Erjola Hoxhës, janë gjetur edhe 30 mijë euro. Ndërkohë që ditët e fundit, burime jozyrtare konfirmojnë marrjen në pyetje nga SPAK të personave që janë kontaktuar lidhur me shërbime të ndryshme që kanë ofruar ndaj partneres së Ahmetajt, sa i përket ndërtimit të të paktën dy vilave. Janë persona që përfaqësojnë planin strukturor të godinave. Mësohet se paraqitja e tyre në SPAK ku kanë dhënë deklarime, është bërë përgjithësisht pas orarit zyrtar të prokurorisë.

Mësohet se konkretisht, dokumentacioni që është siguruar nga SPAK, dhe që janë në sitën e verifikimeve, në kuadër të hetimeve që kanë nisur mbi një kallëzim të bërë në SPAK, për çështjen e inceneratorëve në lidhje me pagesat e Klodian Zotos ndaj Ahmetajt apo njerëzve të afërt me të, janë:

-Një apartament në kompleksin “Valamar”, Interior Design, i porositur nga shtetasja Erjola Hoxha.

-Vilë Nr.73 në ‘Green Coast’ me emër ‘Interior Design 1037’.

-Apartamenti i Albina Mackës në pallatin “Tuborg” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

-Një vilë në emër të Albina Mackas, me vendndodhje në ‘Rolling Hills’, me emër Vila A00.

-Në Valamar objekti me emër “Vila 22”, në pronësi të Erjola Hoxhës, objekti në ‘Building Design Vila Vale Mar 0765’.