Shtyhet afati për vetëdeklarimin e ndërtimeve pa leje

Afati i vetëdeklarimeve të ndërtimeve pa leje, shtyhet nga 31 dhjetori 2014 për në 31 janar 2015.

Njoftimi u bë i ditur nga kreu i ALUIZNI-t Artan Lame në një deklaratë për mediat ku tha se ftesës për vetëdeklarim i janë përgjigjur 72 mijë qytetarë të cilët i shtohen shifrës prej 270 mijëve vetdeklarimeve të deritanishme, të bëra që nga viti 2005 deri në vitin 2013. “Sot është data 26 dhjetor dhe, sipas informacioneve nga terreni – ka vijuar Lame – të gjitha sportelet e drejtorive tona rajonale janë plot me qytetarë të cilët presin me durim të kryejnë procedurën fillestare të vetdeklarimit. Në këto kushte, pasi u diskutua me Kryeministrin, u vendos që afati i vetdeklarimeve të ndërtimeve pa leje, të shtyhet nga 31 dhjetori 2014 për në 31 janar 2015.” Sipas Lames qytetarëve u duhet dhënë mundësia të përfshihen në procesin e legalizmimeve, ndërsa ditët e fundit janë kthyer në atdhe në mënyrë masive mijëra emigrantë, një pjesë e të cilëve kanë problem me legalizimin. Ndërkaq kreu i ALUIZNI-t tha se po punohet për një program për mundësimin e kryerjes së procedurave të vetëdeklarimit dhe të disa procedurave të tjera të legalizimit, direkt përmes konsullatave shqiptare në vendet kryesore të qëndrimit të tyre. Qytetarët që kanë vetëdeklaruar një herë gjatë këtyre viteve, nuk duhet të vetdeklarojnë rishtaz, sepse është i vlefshëm dokumentacioni që kanë depozituar një herë.

Advertisement