“Më 28 qershor, shkodranët, shqiptarët do rikthejnë lavdinë elektorale të 22 marsit ‘92. Thirrja ime vëllazërore për ju të gjithë është të merrni letërnjoftimet e reja. Sot, në emrin tuaj, të të gjithëve që jeni në këtë shesh, në emër të mbarë shqiptarëve, ju drejtoj një thirrje vëllazërore të gjithë zgjedhësve shqiptarë, të të gjitha bindjeve, socialistë e të tjerë, bashkohuni me ne, se Europa, projekti ynë europian ka vend për të gjithë”, tha kryeministri Berisha. Berisha ka premtuar për shkodranët, por jo vetëm për ta 10 herë më shumë investime në mandatin e dytë qeverisës dhe hapjen e 160 mijë vendeve të reja punë për ta shndërruar qytetin veriorë në një metropol. “Jam sot për t’u zotuar se në dy parqet e mëdha industriale të Shkodrës dhe Koplikut, se në dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera industriale, në hidrocentralet e shumta të këtij qarku, në rrugë e autostrada, në bizneset në Shkodër e Shqipëri do punësohen 160 mijë qytetarë shqiptarë”, tha Berisha. Edhe njëherë lideri i kampit blu nuk i ka kursye akuzat në drejtim të liderit socialist Edi Rama, ndërsa ka renditur arsyet se pse Rama nuk duhet të kërkojë votën e shkodranëve. “Shkodra, zoti Rama, të kërkon ty të dalësh në krye të listës së deputetëve të tu. Ti i recitove Shkodrës Hil Mosin dhe i servire Shkodrës Tom Doshin. Ti recitove patër Gjergjin dhe Luigj Gurakuqin, do çosh në parlament kryetrafikantin. Nuk ke të ardhme. Ky është paralajmërimi im serioz”, theksoi Berisha.