SHBA – Obama, përgjegjësit e sulmit kundër aeroplanit të vihen para drejtësisë

Një deklaratë të tillë presidenti amerikan Barak Obama e ka bërë dje publikisht duke urdhëruar në të njëjtën kohë edhe rishikim të listës së Shteteve të Bashkuara për ata që janë të dyshuar dhe për procedurat e kontrollit në aeroporte. “Ky ishte një përkujtim serioz i rreziqeve me të cilat ne ballafaqohemi dhe me natyrën e atyre që e kërcënojnë vendin tonë”, tha në fjalën e tij Obama lidhur me tentativën për akt terrorist në një avion amerikan. Sipas tij, sikur i dyshuari të kishte pasur sukses për ta rrëzuar aeroplanin, do të mund të kishin vdekur afro 300 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit dhe civilë të pafajshëm, çka do të përbënte një tragjedi të re për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne nuk do t’i ndalim përpjekjet tona për të gjetur se kush qëndron pas këtyre ngjarjeve të shëmtuara”, ka thënë më pas ai. Në fund të konferencës ai ka premtuar se populli amerikan duhet të jetë i sigurtë se administrata që ai drejton po kryen çdo lloj përpjekje për të rritur sigurinë gjatë këtij sezoni dimëror pushimesh. Atentati i dështuar terrorist u krye nga nigeriani 23-vjeçar Umar Farouk Abdulmutallab, i cili tentoi të hidhte në erë avionin e linjës Amsterdam-Detroid, i cili kishte në bordin e tij mbi 300 pasagjerë.

Advertisement