Rruga e lumit të Vlorës, Rama: Impakt direkt tek zhvillimi ekonomik

Në kuadër të projektit për ndërtimin e rrugës së lumit të Vlorës është zhvilluar pasditen e kësaj të premteje një seancë dëgjimore me komunitetin e këtij qyteti.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria e tij ka financuar tashmë ndërtimin e 207 km rrugë të reja, të nisura, sipas tij, pa buxhetin e nevojshëm.

Advertisement

Ndërsa lidhur me rrugën e lumit, ai ka theksuar se, “ky është projekti më i madh i ri i qeverisë shqiptare”.

“Ne i kemi dhënë rëndësi të veçante kësaj zone dhe këtij aksi. Aktualisht ky është një aks i rrënuar dhe i mbushur me gropa dhe aksesi i banorëve tek pjesa tjetër është minimal”, ka thënë Rama.

Ndaj, ka shtuar ai, ky investim është shumë i rëndësishëm për faktin se do të sjellë, sipas tij, një impakt të ri në zhvillimin ekonomik, por edhe në aspektin strategjik.

“Rruga e re do t’i japë Vlorës një hapësirë të re turistike dhe zhvillimi, në funksion të turizmit dhe bujqësisë”, ka thënë Rama.

Ai ka saktësuar se, “rruga do të ndërtohet në segmente të ndara”, “por kjo nuk do të thotë se ajo do të ndërtohet në segmente të ndryshme kohore”, ka shtuar Rama.

“Segmenti i parë do të lidhë by pass-in e Vlorës me urën e Peshkopisë dhe punimet në terren do të fillojnë në fillim të vjeshtës, sapo të jenë kryer proçedurat e garës për kompanitë që do të marrin përsipër ndërtimin”, ka thënë më tej kryeministri.