Raporti i Eurostat: 49% e shqiptarëve kanë aftësi digjitale.

Aksesi në internet është bërë tashmë një domosdoshmëri për këdo e kudo, sidomos për të rinjtë.

Sipas një raporti të Eurostat, përgjatë vitit 2024, në vendet e Bashkimit Evropian, pjesa e të rinjve që përdorin internetin çdo ditë varionte nga 93% deri në 100%. Mesatarja e përdorimit të internetit nga të rinjtë ishte 97% në nivel të Bashkimit Evropian.

Rrjetet sociale, në vitin që lamë pas, u përdorën nga 88% e të rinjve të moshës 16 deri në 29 vjeç në vendet e Bashkimit Evropian. Duke u ndalur tek rrjetet sociale, këto të fundit janë burimi kryesor i komunikimit por dhe e informacionit për shumë të rinj. Telefonatat ose videothirrjet përdoreshin gjerësisht nga 88% e të rinjve dhe 73% e popullsisë së përgjithshme. Edhe angazhimi i të rinjve, qofshin këto për tematikat sociale, kulturore, apo dhe politike ishte kryesisht në rrjete sociale, duke shënuar kështu shkallën prej 90%.

Në vitin 2024, të rinjtë e moshës 16 deri në 29 vjeç kishin më shumë gjasa të shprehnin mendimin e tyre ose të merrnin pjesë në konsultime online mbi çështje qytetare ose politike nëpërmjet internetit (për shembull, planifikimi urban, nënshkrimi i një peticioni) sesa popullsia e përgjithshme. Pjesëmarrja qytetare ose politike në internet nga të rinjtë ishte më e larta në Slloveni (51%), e ndjekur nga Greqia (37%) dhe Italia (35%). Përqindjet më të ulëta u vunë re në Suedi (14%), Çeki (16%) dhe Belgjikë (19%).

Lidhur me arsimin online, siç ishin kurset online, trend ky i cili erdhi në rritje në periudhën e COVID-19, për vitin 2024 shënoi ulje. Në vitin 2021, 35% e të rinjve morën pjesë në një kurs online, ndërsa në vitin 2024 kjo përqindje ra në 24%. Mesatarisht në BE, 24% e të rinjve dhe 17% e popullsisë së përgjithshme përdorën internetin për të ndjekur një kurs online.

Për t’u ndalur tek aftësitë digjitale, këtu kemi dhe një shifër për Shqipërinë. Këto aftësi, sot konsiderohen si baza për pjesëmarrje të plotë në shoqërinë moderne, gjë që të rinjtë në shumicën e rasteve nuk zhgënjejnë të provojnë dijet e tyre për TIK-un. Në këtë raport, ende nuk ka të dhëna për aftësitë digjitale për vitin 2024, por është bazuar tek ai i vitit 2023. Në vitin 2023, 71% e të rinjve në BE kishin aftësi digjitale bazë ose të avancuara. Finlanda renditet e para (94%), e ndjekur nga Malta (92%) dhe Holanda (90%). Në Shqipëri, në vitin 2023, 49% e popullsisë zotëron aftësi digjitale.

Tabela e Eurostat për aftësitë digjitale, viti 2023

Përfundimet e raportit

Përdorimi i TIK-ut është i përhapur si tek të rinjtë ashtu edhe tek popullata në tërësi dhe, në disa raste, po arrin “ngopjen”. Të rinjtë e përdorin internetin më shpesh sesa e gjithë popullata në tërësi dhe duket e mundshme që ky model të vazhdojë.

Sfida për politik-bërësit në këtë fushë do të jetë të sigurojnë që përfitimet sociale dhe ekonomike nga shfrytëzimi i TIK-ut, të ofrohen në unitet me përdorimin e sigurt të mediave digjitale, veçanërisht për shtresat më vulnerabël të shoqërisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -