Rama: Reforma në arsim, sukses i qeverisë

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishin sot të pranishëm në hapjen e punimeve të ministerialit rajonal që u zhvillua në Vlorë, në kuadër të platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim, iniciativë e BE-së për të zgjeruar bashkëpunimin rajonal në fushën e arsimit.

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij nëvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Ramën, arsimi është aspekti i parë ku duhet të ndërhyhet, por që gjithmonë mbetet i fundit, pavarësisht se ai shpreh besimin tek brezi i ardhshëm. “Edhe në këtë pjesë duhet të përpiqemi të jemi më të kujdesshëm për brezin e ri, për atë çka do të bëjë ky brez në të ardhmen. Ndryshimi ka të bëjë me dijet. Ne vërtetë besojmë që duhet të jemi të qartë për reformat e mëdha që kërkohen”, tha Rama.

Advertisement

Sakaq, duke iu referuar situatës në Shqipëri, Kryeministri Rama vlerësoi reformën në arsim në Shqipëri, si një nga sukseset e qeverisë. “Ajo që kemi dashur është që të kishim arsim të duhur. Nuk ka arsim shtetëror apo privat, por ka arsim që financohet nga shteti. Ne mendojmë se kjo është qasja e duhur për të pasur një arsim konkurues. Nga ana tjetër, ne po ashtu kemi dashuri t’i japim universiteteve më shumë autonomi, duke i bërë më përgjegjës në llogaridhënie”, deklaroi kryeministri. Ai tha se reforma është shtrirë edhe në sistemin e vlerësimit për mësuesit.

Ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se “sot vendet tona përballen me të njëjtat sfida sociale dhe ekonomike”. “Ndaj, qeveria shqiptare mori përgjegjësinë për ndërhyrje të plota dhe të thella në sistemin arsimor, që i ishte lënë inertësisë e gati gati në rënie të lirë, duke filluar menjëherë reformat në tërë sistemin për mos të humbur më asnjë ditë. Në më pak se 2 vite qeverisje, viti i ri shkollor dhe akademik na gjen të angazhuar në zbatimin e reformës në tërë sistemin arsimor, parashkollor, parauniversitar dhe atë të lartë”, tha ajo.

Ministrja Nikolla gjatë fjalës së saj foli edhe për reformën në arsim që u bë në Shqipëri. “Gjatë procesit të kontrollit të ligjshmërisë u konstatuan shkelje ligjore në veprimtarinë e disa institucioneve të arsimit të lartë. Mbi bazën e konstatimeve, Ministria e Arsimit dhe Sportit propozoi masa konkrete për secilin prej institucioneve të arsimit të lartë, duke filluar nga vënia e kushteve apo dhënia e rekomandimeve për përmirësim të kritereve për vijimin e aktivitetit të tyre akademik, pezullim të pjesshëm apo të plotë të aktivitetit dhe deri tek heqja e licencës apo mbyllja e institucionit. Dhe si masë ekstreme, mbyllëm 18 Institucione të Arsimit të Lartë, një hap i vështirë, por i vetmi për të rikthyer standardet në arsimin e lartë dhe vendosjen e tij mbi shinat e ligjit”, tha ajo.

Qëllimi i Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim është të ndihmojë këto vende me reformat e arsimit dhe trajnimit, si dhe të rrisë bashkëpunimin rajonal. Prioritet aktual i këtij takimi të katërt mes ministrave të Ballkanit është arsimi i lartë. Kjo është një iniciativë e BE-së, ndërkohë që ministeriali do të vijojë punimet edhe ditën e nesërme në Vlorë.