Policia e Tiranës kallëzon tre anëtarë të PD

Policia e Tiranës ka kallëzuar në prokurori tre anëtarë të Partisë Demokratike, Enno Bozdo, Suzana Dimushi dhe Ergys Hakajn për protestën e të hënës tek Liqeni Artificial për moslejimin e ndërtimit të këndit të lojërave, një projekt ky i Bashkisë së Tiranës.

Siç mësohet nga njoftimi për shtyp i Policisë së Kryeqytetit, më datë 22.02.2016, në orën 09:30 nga Partia Demokratike u zhvillua një protestë për moslejimin e ndërtimit të këndit të lojërave në Parkun e madh të Tiranës.

Advertisement

Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u morën masat e nevojshme për mbarëvajtjen e protestës. Por, gjatë protestës, protestuesit u konfrontuan me Punonjësit e Policisë Bashkiake dhe të Policisë së Shtetit duke i kundërshtuar fizikisht, më pas duke bërë thirrje për veprime te dhunshme. Protestuesit filluan të dëmtonin rrethimin e objektit në ndërtim si dhe kanë dëmtuar mjetet që ndodheshin në brendësi të objektit, mjete këto në pronësi të firmës “Kasel”. Nga ana e Policisë së Tiranës është arritur të bëhet identifikimi i personave përgjegjës ku u bë ndalimi i shtetasve: Petrit Fejzullai, 48 vjeç, dhe Hasan Molla, 50 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Njëkohësisht, sqarohet në njoftim, u referuan materialet në Prokurorinë e Tiranës për shtetasit: Enno Bozdo, 43 vjeç, si përgjegjës për mbarëvajtjen e protestës. Suzana Dimushi, 37 vjeçe, si edhe Ergys Harkanaj, 39 vjeç.

Policia e Tiranës, sqaron se në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: G. Gj., 28 vjeç; N. B., 49 vjeç; F. D., 21 vjeç; S. Rr., 28 vjeç; Xh. D., 72 vjeç; I. H., 26 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Shkatërrim Prone”, “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, si dhe ” Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.