Peshkopi – Rama, unë do të jem kryeministri juaj jo i familjes time

“Rruga e “Arbrit” të cilën sot Sali Berisha e premton për të 18-in vit rresht, por jemi ne që do ta ndërtojmë”- tha Rama. Kryetari socialist ka denoncuar përdorimin e administratës në aktivitete elektorale të maxhorancës, ndërsa u kërkoi qytetarëve që më 28 qershor të ndalin drejtimin e Berishës i cili kërkon votën në emër të biznesit. “Një shtet i cili terrorizon arsimtarët dhe nëpunësit e një administrate që tashmë është marrë peng, ky nuk është shteti i qytetarëve që meritojnë një Shqipëri si e gjithë Europa. Ndaj ne në 28 qershor do të marrim mbrapsh shtetin tonë, shtetin e të gjithë qytetarëve të këtij vendi”, tha kreu i PS Rama. Rama garantoi në fjalën e tij politika të reja për fshatin dhe qytetin me në krye një kryeministër për të gjithë Shqiptarët. “Një politikë të re me sy për të parë se ku dhe si jetojnë shqiptarët dhe për të lexuar në sytë e shqiptarëve se ku ata duan të shkojnë. Unë nuk do të jem kryeministri i një qeverie që bën biznes për një familje të vetme dhe që i ndan pasuritë e vendit me klientët e pushtetit të familjes kryeministrore unë do të jem thjeshtë kryeministri juaj. As për tju treguar pse duhet të jeni të lumtur me Shqipërinë që e bleu 1 euro familja ime, klientët e pushtetit të saj dhe shërbëtorët e qeverisë time sic bën Sali Berisha. Sali Berisha, jua kërkon votën e vetme që ju keni për të vetmen arsye sepse ka një biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë jua kërkojnë të vetmen votë për një deputet të vetëm që na nxjerr pastaj nga mandati i marrë nga ju në pazarin e vjetër të numrave dhe interesave personale, për ta mbajtur peng qeverinë tuaj, për ta mbajtur peng Shqipërinë dhe për të vazhduar edhe 4 vite të tjera atë shfaqe të shëmtuar që kemi 18 vite që e shohim të luhet në parlamentin tonë që pas 28 qershorit nuk duhet të jetë më parlamenti i një grushti njerëzish, por parlamenti i qytetarëve të Shqipërisë ”, theksoi Rama në fjalën e tij drejtuar banorëve të Dibrës.

Advertisement