PD ankimoi vendimin e Celibashit/ KAS hedh shortin, caktohet relatori i çështjes!

Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka hedhur shortin për caktimin e relatorit lidhur me ankimimin e Partisë Demokratike të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj.

Koli Bele do të jetë relatori i çështjes që pritet të shqyrtohet nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pasi një ditë më parë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendosi të mos regjistrojë PD-në si pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Advertisement

Refuzimi për regjistrimin e forcës kryesore opozitare erdhi pasi kërkohej që deklarata për angazhimin solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës dhe marrjes së financimeve të jashtëligjshme të ishte e firmosur nga kryetari i partisë, i cili në regjistrin e partive politike rezulton të jetë ende Lulzim Basha dhe jo Enkelejd Alibeaj.

Menjëherë pas vendimit PD e ka ankimuar atë në KAS duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Celibashit si dhe regjistrimin e PD-së në zgjedhjet lokale pasi sipas tyre nëpërmjet autorizimit të përgjithshëm që Lulzim Basha ka firmosur tri ditë para se të jepte dorëheqjen, ky dokument mund të firmoset edhe nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj.
Sipas Celibashit kjo nuk është e mundur pasi nuk janë kryer proçedurat përkatëse për të bërë ndryshimet në regjistrin e partive politike, edhe pas afatit prej 48 orësh që ky i fundit i kishte lënë PD-së për plotësimin e dokumentacionit.

Tashmë mbetet në dorën e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve të vendosë nëse PD e përfaqësuar nga Alibeaj do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit ose jo.

Edhe më parë PD e Alibeajt kishte dorëzuar një ankimim në KQZ por KAS nuk e mori në shqyrtim duke qenë se ende nuk ishte dhënë vendimi përfundimtar nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Pas caktimit të relatorit të çështjes, Koli Bele, KAS do të vendosë nëse do të marrë ose jo në shqyrtim ankimimin e PD-së e më pas do të vijohet me shqyrtimin e saj dhe dhënien e vendimit përfundimtar.