Pas Ermal Metës, një tjetër emigrant fiton Sanremon

Italia kurorëzoi fituesin e festivalit të famshëm të saj, Sanremos, duke ia dhënë trofeun të riut me origjinë egjiptiane, Mahmood, që rrëmbeu zemrat e publikut dhe jurisë me këngën e tij “Soldi”.

27 vjeç, me nënë italiane dhe baba egjiptian, Mahmood mbërriti në skenën e Ariston pasi fitoi bashkë me Einar, edicionin e fundit të Sanremos për të rinjtë, dhjetorin e kaluar.

 

Pas fitores Mahmud u shpreh: “Unë jam 100% italian, nëna ime është nga Sardenja dhe babai im është egjiptian, por unë kam lindur dhe rritur në Itali. Vendosa një shprehje arabe në këngën time, sepse më kujton fëmijërinë”.

Alessandro Mahmoud ka lindur në qytetin verior të Italisë në vitin 1992 dhe kishte marrë pjesë edhe në Sanremon e 2016-ës, në seksionin e emrave të rinj, ku qe klasifikuar i katërti.

Ndërkohë Matteo Salvini u shpreh kundër fitores së 27-vjeçarit. “Mahmood… mah…. Kënga italiane më e bukur?!? Unë do kisha zgjedhur Ultimon, si mendoni??”, ka pyetur zëvendëskryeministri italian në Twitter.

/GazetaShqip/