Ndoka braktis PD-në dhe bashkohet me mazhorancën

Kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka firmosi këtë të hënë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Socialiste për të hyrë së bashku në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit.
Ashtu si edhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, edhe largimi i Ndokës nuk do të jetë vetëm për këto zgjedhje, por në nivel qendror.
“Partia Demokratike nuk krijoi asnjë hapësirë për PDK-në në zgjedhjet lokale”, mësohet të jetë shprehur Ndoka.
Duke marrë shkas nga kjo Ndoka iu bashkua koalicionit të mazhorancës me shpresën se mund t’i lënë zonë të lirë kandidimi në Bashkinë e madhe të Kurbinit.
Partia Demokristiane e Nard Ndokës deri në zgjedhjet vendore të 2013 ishte pjesë e opozitës, ndërsa dështoi në negociatat me kryesocialistin Edi Rama, pasi ky i fundit refuzoi ta fuste Ndokën në listat e Partinë Socialiste.
Pas kësaj Nard Ndoka vendosi të bashkohej me koalicionin e mazhorancës që udhëhiqej nga Partia Demokratike që në atë kohë drejtohej nga Sali Berisha.
Ky i fundit vendosi ta fusë Nard Ndokën në një pozicion fitues në listën e qarkut të Shkodrës, e pavarësisht numrit të vogël të votave që mori PDK në ato zgjedhje, Ndoka fitoi një vend në parlament.
Po edhe këtë herë pakënaqësitë për listat e ndanë Nard Ndokën nga koalicioni i djathtë, teksa Partia Demokratike nuk la zonë të lirë për të kandiduar përfaqësuesit e PDK.
Më 30 mars ishte Shpëtim Idrizi i PDIU-së i cili vendosi të braktisë koalicionin e djathtë duke iu bashkuar atij qeverisës.
PDIU ka shpallur kandidatët e saj për tre bashki Konispol, Peqin, Rrogozhinë.
Ndërkohë, po sot kreu i PS Edi Rama nënshkroi marrëveshjen e koalicionit në këto zgjedhje edhe me kreun e Aleancës Demokristian Zef Bushati, duke e cuar në 42 numrin e partive që janë pjesë e koalicionit të majtë.

Advertisement