Ndan jetën me 8 mijë puffa, Davide Volonta- italiani që po thyen rekordin Guinness me koleksionin e tij

Nuk është fëmijë por, në apartamentin e tij ndodhet një koleksion gjigant, vetëm me personazhet puff-i, ose siç njihen në anglisht smurfs. Ka nisur t’i mbledhë ato që kur ishte 8 vjeç dhe tani, në një hapsirë prej rreth 40 metrash katrorë, gjendet ekspozita e rrallë, e cila pëmban plot 7873 copë të këtyre krijesave të vockla ngjyrë blu.

34- vjeçari Davide Volonta, nga Torino i Italisë teorikisht është koleksionisti më i madh botëror i personazheve të krijuar nga karikaturisti belg Pierre Culliford, i njohur me emrin e artit Peyo. Falë numrit të madh të minikukllave që ka mbledhur në rreth 3 dekada, ka arritur të tejkalojë edhe Rekordin Botëror të Librit Guinness, të cilin deri më tani e mban amerikania Gerda Scheuers, që zotëron 6320 puff-i.

“Zbulimi i një surprize nga sytë e një fëmije, ka qenë ndjesia që më ka udhëhequr që i vogël e deri tani në këtë pasion të madh që kam” – shprehet për revistën Living i riu italian. Në koleksionin e tij gjigant prej rreth 8 mijë personazhesh, nuk gjen dy njësoj. Të gjithë janë kopje unike. Sigurisht që Davide nuk ka mundur t’i mbledhë të gjithë këto personazhe vetëm nga vezët prej çokollate që ka ngrënë, sepse pasioni që u zhvillua më  pas, e ka detyruar të kërkojë kudo nëpër botë për të pasuruar koleksionin e tij.  “Kam shumë kontakte në botë dhe shkoj në shumë panaire koleksionistësh nëpër të gjithë Europën- ndan koleksionisti italian për lexuesit e Living.- Për puff-it kam bërë çmendurira. Një herë, mora avionin për në Berlin vetëm për të blerë një të tillë. Hijeshia e tyre qendron në simpatinë që ata të krijojnë. I adhuroj që të gjithë personazhet, por i preferuari im dhe ai që më përfaqson më shumë mua, është ‘Turisti’- ndan koleksionisti.

I përfshirë me vite të tëra në këtë pasion të veçantë, Davide investoi në këtë mënyrë edhe për sipërmarrjen e tij. Sipërmarrja e tij prodhon skulptura rezine për disa prej personazheve më pak të njohur të filmit, siç është përshembull gjiganti i mirë Gross Boeuf. “Ky ishte një investim me të ardhura të kënaqshme. Vetëm në një javë kam arritur të shes 100 copë. “- tregon Davide.

Prej vitit 2010, 34- vjeçari ka hapur edhe faqen e tij në internet ëëë.gianedavicollezioni.com , ku shet personazhet e dubluar të koleksionit. Blen dhe shet, ndërkohë që nuk heq dorë së shtuari koleksionin e tij personal.  “Ata që blejnë, janë klientë të ndryshëm, duke nisur që nga punëtorët, sipërmarrësit deri dhe politikanët. Zakonisht dashurohen me personazhet me kapuç të bardhë, sepse t’i koleksionosh ata, është një mënyrë për t’u shndërruar sërish fëmijë.”

Davide ka studiuar për arkitekturë, por është ende larg ushtrimit të profesionit të tij, sa kohë koleksioni i ze gjithë ditën me punë. “E di që puna ime ngjall çdo herë habi dhe shpesh njerëzit pyesin sesi arrij ta bëj një gjë të tillë, por unë kam shndërruar pasionin tim në punë, çka besoj se, është gjëja më e mirë që mund të të ndodhë. “

Pasioni i pazakontë i të riut Italian, është nga ato investime që ka arritur ta shpërblejë në shumë plane. “Një copë mund të shitet duke filluar nga një, deri në qindra euro,- tregon Davide.- Çmimi i këtyre personazheve të rralla përcaktohet nga vlera koleksionuese që ai ka (nëse gjen dikë që është i gatshëm të paguajë një shifër të caktuar për një copë) dhe jo nga vlera reale. Sa më i rrallë dhe më i kërkuar të jetë një personazh në tregun  e koleksionistëve, aq më i lartë do të jetë çmimi për ta shitur ose blerë atë.”

Teorikisht, koleksionisti italian i personazheve puffi, zotëron rekordin Guinness. Ai ka nisur procedurat për të hyrë në librin e këtyre rekordeve, por thotë se ato janë shumë të ndërlikuara. “Kërkojnë shumë dokumente por, unë dua padiskutim ta provoj këtë sfidë.”- përfundon Davide. E ndërsa pret të shpallet koleksionisti botëror më i madh i personazheve puff, ai u kushton çdo ditë 10 orë punë këtyre krijesave aq të adhuruara prej tij. Dita e punës së tij është jo fort e zakonshme. Mes porosive dhe dërgesave të klientëve që zotëron kudo nëpër botë, ai kalon një ditë të mbushur plot me pasion fëmijërie. Davide Volonta, është nga ata të paktë njerëz të kësaj toke, që nuk e kanë kyçur fëmijën brenda tyre.

Nga Elona Jaçellari

/Living/