Momenti që fansat prisnin prej 6 vitesh, Céline Dion rikthehet në skenë.

Monday, September 14, 2026

Céline Dion do të rikthehet në skenë këtë shtunë në mbrëmje në Paris, pas disa vitesh përballje me një sëmundje të rrallë neurologjike.

Fansat po numërojnë minutat deri në nisjen e koncertit.

Këngëtarja e “My Heart Will Go On” do të zhvillojë koncertin e saj të parë të plotë pas 6 vitesh.

Rreth 30 mijë fansa pritet të mbushin Plenitude Arena, pranë Parisit, në natën e parë të koncerteve të saj. Të gjitha biletat janë shitur. Disa fansa kanë shkuar në sallë që të premten për të përjetuar atmosferën para rikthimit të këngëtares kanadeze.

Gjatë karrierës së saj mbi katër dekada, Dion ka shitur rreth 260 milionë albume në gjuhën angleze dhe franceze, me hite si “It’s All Coming Back to Me Now” dhe “Because You Loved Me”.

Ajo do ta nisë serinë prej 26 koncertesh me 16 shfaqje të shitura plotësisht gjatë shtatorit dhe tetorit, ndërsa 10 koncertet e tjera do të zhvillohen në majin e ardhshëm.

Fansat që nuk kanë mundur të sigurojnë bileta kanë gjetur mënyra të tjera për të festuar rikthimin e artistes së tyre të preferuar.

Dion është shfaqur disa herë jashtë hotelit Royal Monceau, në Paris, për të takuar fansat që e presin. Në disa raste, ajo ka kënduar dhe kërcyer me ta deri në orët e para të mëngjesit.

Céline Dion

Festimet janë përhapur në të gjithë Parisin, ku janë organizuar konkurse me kostume, karaoke masive dhe lundrime në lumin Sena në nder të këngëtares.

Të premten, qindra njerëz morën pjesë në një aktivitet falas karaoke në verilindje të Parisit, ku kënduan disa nga hitet më të njohura të Dion, në pritje të koncertit të saj të parë.

Rikthimi i Dion vjen pas një periudhe të gjatë pasigurie nëse ajo do të mund të performonte sërish në skenë.

Në dhjetor të vitit 2022, ajo bëri të ditur se ishte diagnostikuar me sindromën e personit të ngurtë, një sëmundje e rrallë dhe e pashërueshme autoimune, e cila mund të shkaktojë ngurtësi të madhe të muskujve dhe spazma të dhimbshme.

Céline Dion

Sëmundja e detyroi të anulonte koncerte, por Dion nuk hoqi dorë nga dëshira për t’u rikthyer në skenë.

Ajo u dha fansave një shenjë të rikthimit të saj gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit 2024, ku u shfaq papritur në Kullën Eiffel dhe këndoi këngën e Edith Piaf, “Hymne à l’amour”.

Tashmë, pas vitesh përballjeje me sëmundjen, Céline Dion është gati të rikthehet para publikut dhe të realizojë premtimin për t’u ngjitur sërish në skenë.

RELATED ARTICLES
Advertisement
DIGICOM