Molotov në Kuvendin dhe Presidencën e Kosovës

Në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku është edhe Presidenca e Republikës, mëmgjesin e sotëm disa persona gjuajtën me gurë dhe hodhën molotov duke shkaktuar thyerjen e xhamave.

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës theksohet se ” rreth orës 04:00 të së shtunës është raportuar se disa persona të maskuar kanë hedhur koktej molotov në drejtim të ndërtesës Presidenciale. Pas hedhjes së koktej molotovit dyshohet se ata janë larguar në drejtim të rrugës Agim Ramadani me një veturë ngjyrë të bardhë. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, mirëpo nuk kanë mundur të arrestojnë të dyshuarit”.

Advertisement

Sipas policisë, nuk raportohet për persona të lënduar.

“Policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e personave te dyshuar”, përfundon njoftimi zyrtar nga Policia e Kosovës.

Në fotografitë e publikuara nga media, siç raportohet, “shihen dëmtimet që janë bërë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, derisa burime nga ky institucion kanë thënë se pos thyerjes së xhamave është tentuar edhe djegia e këtyre zyrave me hedhjen e koktejve të molotovit”.

“Një nga zyrat e Presidencës është sulmuar me molotov gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm”, raportonte media.