Gjatë ditës së djeshme Ministria e Jashtme Bullgare njoftoi zyrtarisht se do të bllokojnë anëtarësimin e vendit në BE nëse nuk respektohen të drejtat e bullgarëve në Maqedoni. Sipas të dhënave të qeverisë bullgare, shtetasit bullgarë në Maqdoni vuajnë mungesën e respektimit të të drejtave themelore. Si shembull konkret merret burgosja e shtetases bullgare Spaska Mitrova, e cila sipas njoftimit të ministrisë së jashtme të Bullgarisë është duke vuajtur në Maqedoni dënimin e të qënit bullgare. “Kemi konstatuar edhe fakte tjera të cilat rrisin dyshimin se qytetarët bullgarë si dhe qytetarët maqedonas me vetëdije bullgare, janë pre e presionit administrativ dhe policor dhe presioneve të tjera vetëm për shkak të përkatësisë nacionale”, theksohet në njoftimin e Bullgarisë drejtuar qeverisë maqedonase, duke kërcënuar me veto në samitin e ardhshëm të BE-së. Kështu përvec vetos së Greqisë e lidhur me cështjen e emrit, Maqedonia rrezikon të përballet edhe me një veto të dytë që do të bllokojë integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje disa herë Maqedonisë të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe të angazhohet në plotësimin e standardeve, ndryshe integrimi në NATO e BE do të jetë i pamundur. Ndërkohë, Maqedonia i është përgjigjur njoftimit të Bullgarisë duke theksuar se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve nuk mund të prishen nga manipulimet e njerezve si rasti i 23 vjecares Mitrova. “Dy shtetet nuk guxojnë të lejojnë keqpërdorimin e shtetësive dhe pasaportave si alibi për probleme me shkurorëzime apo fshehje të tatimit, për shembull, si në rastin me ish ministrin e Shëndetësisë Vllado Dimov. Presim autoritetet bullgare të distancohen nga ky manipulim klasik me fatet e njerëzve, pasi që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve miqësore nuk guxojnë të jenë peng i njerëzve të cilët kërkojnë mbulim për mosmarrëveshjet e tyre familjare dhe veprimet kriminele”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë.