Maqedoni – Nga data 1 janar presim liberalizimin e vizave

Një fakt të tillë e ka pohuar për mediat, zv/kryeministri maqedonas, Ivica Bocevski, duke vënë në dukje procedurat e reja që i presin maqedonasit pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. “Në rastin më pesimist, procesi do të përfundonte në fund të nëntorit, ndërsa në atë optimist kjo pritet të përfundojë në fund të shtatorit, me qëllim që në fillim të vitit të ardhshëm qytetarët e Maqedonisë të udhëtojnë pa viza në vendet anëtare të marrëveshjes së Shengenit”, bëri të ditur Bocevski. Ndërkaq, bëhet e ditur se të hënën fillojnë konsultimet mes vendeve të BE-se, debat që zgjat deri pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ndërsa në fund të qershorit, komisioni duhet propozojë ndryshime ligjore dhe të rregullores duke i mundësuar Maqedonisë hyrjen në Shengen. Më pas Parlamenti Evropian jep opinionin duke i hapur rrugë ratifikimit të vendimit nga Këshilli i Ministrave. Maqedonia është e para në procesin e liberalizimit të vizave e ndjekur nga Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në fund të listës janë Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina.

Advertisement