Maqedoni – Letër protestuese për thirrjet rraciste të Gardës Bregdetare Greke

Pasi zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Petrov, i dorëzoi notën protestuese ambasadores, ajo kërkoi që rasti të mos predimensionohet. “Ky është incident i izoluar, dhe nuk duhet të nxirret prej konteksti. Doemos duhet të dënohet dhe është dënuar. Kjo nuk përfaqëson popullin grek, sjelljen, mentalitetin dhe ndjenjat e grekëve. Ju lutem mos e predimensiononi rastin, ky është rast i izoluar. Kjo nuk i ndihmon askujt”, deklaroi Papadopulos. Ambasadorja greke sqaroi se parullat nacionaliste brohoritën nga Garda Bregdetare, e jo nga Forcat e Armatosura të Greqisë. Ajo po ashtu, informoi se përgjegjësi i njësisë është pushuar nga detyra, dhe paralajmëroi se do të hetohen rrethanat nën të cilat ndodhi incidenti dhe përgjegjësi për shkaktimin e tij. Thirrjet raciste të gardës bregdetare u bënë gjatë një parade ushtarake për përvjetorin e shtetit grek, me ç`rast u shprehën parulla raciste kundër shqiptarëve, por edhe maqedonasve. Thirrje të tilla raciste u bënë edhe në vitin 2008 dhe 2009.

Advertisement