Manjani akuzon Xhafaj: Spekuloi me fjalët e mia

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka akuzuar kryetarin e komisionit të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj, se ka abuzuar me fjalët e tij në lidhje me mbledhjen e dështuar të negociatorëve natën mes së mërkurës dhe së enjtes.
“Unë dua të bëj një deklarim para jush, se ato që dëgjova publikisht nga kryetari i komisionit të ligjeve në lidhje me një email timin, në shpifje të plotë, është shumë e rëndë. Të paktën për mua”, ka thënë Manjani.
Ai ka sqaruar se, Xhafaj ka marrë një email jo nga ai, por nga misioni OPDAT, që sipas ministrit ishte i mjaftueshëm që kryetari të mblidhte komisionin.
“Por ai nuk e mblodhi komisionin dhe përgjegjësinë për këtë ai nuk mund ta kërkojë tek unë”, ka thënë Manjani, i cili ka saktësuar se përgjigjia e tij për negociatorët ishte:
“Unë nuk e di se për çfarë rishikimi të tekstit keni rënë dakord. Ka shumë ndryshime nga ajo që kemi rënë dakord në ditën e hënë. Teksti pretendon se ka ndryshime të propozuara nga zyra e kryeministrit, që nuk është thelbi i kësaj gjëje. Kërkesa ime për negociatorët për t’u mbledhur është injoruar, kështu që unë nuk mund të shprehem as dakord as mosdakord në lidhje me këtë çështje në email. Jam në Kryesinë e Kuvendit dhe po pres të mblidhemi”.
“Ky është teksti i email-it tim gjysmë ore më vonë pasi e kisha marrë këtë email. Kështu që i kërkoj zotit Xhafaj dhe gjithë të tjerët se spekulime me fjalët e mia nuk lejoj, sidomos në një moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë. Kam qenë, mbetem dhe do të jem mbështetës i reformës pa asnjë diskutim”, ka vijuar Manjani.
Ai ka theksuar se, “si ministër nuk mund të japë opinione personale”, siç kërkon sipas tij zoti Xhafaj ta kanalizojë këtë gjë.
“Opinionet personale i ballafaqoj me të ku të dojë ai, por të keqpërdorë fjalët e ministrit të Drejtësisë për qëllimet e tij politike apo personale është e papranueshme. Kështu që i bëj thirrje ta tërheqë atë që ka thënë dhe të mos e përsërisë. Unë kam thënë se nuk mund të shprehem as pro as kundër në email. Hajdeni të mblidhemi dhe të vendosim”, ka shtuar Manjani.

Advertisement