Liga e Kampionëve, Skënderbeu sot në Zagreb

Skënderbeu do të luaj sot në mbrëmje përballë Dinamos së Zagrebit ndeshjen e kthimit të “Play Off-it”, në Ligën e Kampionëve, pas humbjes me rezultatin 2-1 në “Elbasan Arena” një javë më parë.

Korçarët janë nisur mesditën e të hënës drejt kryeqytetit kroat për tu akomoduar në një hotel në qendër të Zagrebit.

Advertisement

Më tej, pasi kanë bërë një pushim të shkurtër janë nisur drejt stadiumit ku do të zhvillohet dhe sfida, për të kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes së shumë pritur.

“Himni i Ligës së kampionëve shtoi presionin tek skuadra”, tha një javë më parë kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi, i cili u bë dhe autor i golit të vetëm të Skënderbeut në ndeshjen e parë.

Kapiteni i juglindorëve, tha dje se korçarët këtë sezon kanë arritur një rezultat të mrekullueshëm, kualifikimin në fazën e grupeve të Europa Ligës.

“Në ndeshjen e parë kishim presionin e rezultatit, por tani jo, prandaj dhe jemi më të favorizuar. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në këtë ndeshje të dytë, pse jo edhe të fitojmë. Do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur”, vijoi Shkëmbi.

Në ndeshjen e sotme do të mungojë autori i katër golave për kampionët e Shqipërisë, Hamdi Salihi, i cili është nisur drejt izraelit nga ku ka marrë një ofertë të parrezistueshme.

Tekniku i korçarëve, Mirel Josa kërkon ta mbyllë me dinjitet ndeshjen e kthimit në Zagreb përballë Dinamos. Tekniku Tiranas shprehet i qartë për vështirësitë që e presin në kryeqytetin e Kroacisë, por ka besim se skuadra do të jap maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv.

“Duhet të kishim bërë më mirë në ndeshjen e parë, sepse për t’u kualifikuar duhet të marrësh rezultate të mira në të dyja ndeshjet. Në do të shkojmë në Zagreb për të luajtur futboll dhe nëse do të jetë e mundur të fitojmë”, tha Josa.

Sakaq, burime pranë klubit bëjnë me dije se në sfidën e Maksimir, në vijën e parë të sulmit, në vend të Salihit pritet të aktivizohet Hristov, ndërsa në krahun e majtë, nëse Berisha nuk ia del të riaftësohet në kohë, do të luajë Abazi.