“Le Monde”: Nga Lima në Tiranë, qindra “Unë jam Charlie ” u mblodhën për të nderuar viktimat e sulmit

Gazeta prestigjoze franceze ‘Le Monde’ në një shkrim të saj tregon solidarizimin që kanë pasur vende të ndryshme të botës me ngjajen që ndodhi në Paris, ku 12 persona u vranë pas një sulmi terrorist në redaksinë e gazetës satirike “Charlie Hebdo”.

“Nga Lima në Tiranë, qindra “Unë jam Charlie” u mblodhën për të nderuar viktimat e sulmit”, e titullon shkrimin e saj ‘Le Monde’ duke pasqyruar me foto homazhet që u kryen në disa kryeqytete të botës për nder të viktimave. “Gjatë gjithë natës, janë bërë homazhe për viktimat e sulmit terrorist të së mërkurës, 7 janar kundër ‘Charlie Hebdo’. Në Francë rreth 100 000 njerëz u mblodhën natën e mërkurë në qytete të ndryshme”, shkruan ‘Le Monde’ në shkrimin e saj. Në Tiranë, gazetarë dhe qytetarë, të organizuar nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, u mblodhën në zemër të kryeqytetit në shenjë sensibilizimi në nder të kolegëve francezë të “Charlie Hebdo”. Të pranishëm gjatë homazheve pranë Piramidës ishin dhjetëra gazetarë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe vetë ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi.

Advertisement