Kuvendi miraton me 118 vota heqjen e imunitetit të deputetit Prenga

Arkiv

Kuvendi i Shqipërisë miratoi të hënën me 118 vota pro, 1 votë kundër dhe asnjë abstenim heqjen e imunitetit të deputetit Armando Prenga. Ky vendim i hap rrugën kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit socialist Armando Prenga.
Deputeti Prenga nuk ishte i pranishëm në sallën e parlamentit, ndërsa raporti i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve u votua pa u lexuar në seancë.
Pas votimit kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, kërkoi që opozita të shprehte qëndrimin e saj ndaj kësaj çështje. Në fjalën e tij deputeti demokrat, Genti Strazimiri, e vuri theksin tek procesi i dekriminalizimit duke e konsideruar atë “kauzën e shoqërisë shqiptare”.
Të dielën në mbrëmje Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve miratoi me unanimitet kërkesën e kryeprokurorit që kërkonte autorizimin e parlamentit për arrestimin e deputetit në fjalë, i cili akuzohet, se në orët e para të datës 5 shtator u përfshi në një konflikt të dhunshëm në Kurbin, nga ku mbetën të plagosur 7 persona, dy prej tyre me armë zjarri.
Deputeti Prenga u arrestua në kushtet e flagrancës, por për ta mbajtur në gjendje arresti, për shkak të imunitetit parlamentar, nevojitet autorizimi i Kuvendit.

Seanca e sotme plenare shënoi dhe nisjen e sesionit të pestë të legjislaturës së VIII-të. Në çelje të saj, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i uroi deputetëve punë të mbarë dhe angazhim në kryerjen e reformave të rëndësishme, duke e vënë theksin tek bashkëpunimi pozitë-opozitë.

Advertisement