Kuvend- Rama: Rënia në “Doing Business”, e rikuperueshme

Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten në Kuvend se bllokimi i lejeve të ndërtimit solli dhe rënien e Shqipërisë në klasifikimin e raportit të Bankës Botërore “Doing Business”. Por, shtoi ai, kjo rënie është e rikuperueshme.
“Bllokimi i lejeve të ndërtimit ka sjellë rënien në klasifikim. Por, kjo është një rënie e rikuperueshme”, u shpreh kryeministri në përgjigje të akuzave të opozitës për situatën e rëndë ekonomike në vend. Raporti i Bankës Botërore, shtoi ai, vë në dukje edhe disa aspekte pozitive të tij.
“Banka Botërore nënvizoi ngushtimin e defiçitit tregtar dhe papunësinë më të ulët në rajon. Gjithashtu, ky institucion ka parashikuar që rritja ekonomike do të jetë 2.7 për qind”, tha Rama.
Nga foltorja e Kuvendit kreu i qeverisë iu përgjigj edhe akuzave të tjera të hedhura nga opozita, si vota e Shqipërisë në OKB për heqjen e embargos ndaj Kubës, çështja e tenderit të makinave me qera për zyrtarët e lartë, tenderit të godinës së OSHE-së, etj.
Duke i konsideruar ‘debate të deformuara’, Rama sqaroi fillimisht votën në OKB, ku Shqipëria, tha ai, të paktën që nga viti 2005 e deri më 2015-n, ka votuar gjithmonë njësoj.
“Dua t’i vendos pikat mbi ‘I’ për disa debate që në këndin tim janë të deformuara rrënjësisht, duke filluar nga vota “kundër Amerikës, e Shqipërisë’, për të cilën del ish-kryeministri dhe me papërgjegjshmërinë më të madhe, lëshon alarmin se Shqipëria voton kundër SHBA-së. Kjo është një rezolutë që kalon në çdo sesion, vit pas viti dhe unë për të mos marrë historikun e gjatë kam një të shkurtër, atë nga viti 2005 e deri më 2015-n. Për këtë rezolutë Shqipëria ka votuar gjithmonë njësoj”, sqaroi Rama.
Duke u ndalur tek tenderi i makinave me qera për zyrtarët, kryeministri tha se në 4 vjet pritet të kursehen më shumë se gjysmë milioni euro, pasi siç tha ai, makinat Jaguar janë më të lira se Volksvageni dhe Benzi. Kryeministri tha se me sistemin e ri të marrjes së makinave me qera, kursehet edhe për mirëmbajtjen, pasi ky proces përfshihet në paketën e kontraktorit.
“E vërteta është që ne kemi ndryshuar sistemin dhe pse e kemi bërë ndryshimin, për të kursyer. Dhe përsëri me shifra, kemi bërë gjënë që bëjnë të gjithë qeveritë sot, të paktën në vendet normale, nuk blejnë më makina, por kanë sistemin, i cili përfshin të gjithë mirëmbajtjet. Totali i shpenzimeve për blerjen e 22 automjeteve që është numri limit, jo i automjeteve të Kryeministrisë, por i Këshillit të Ministrave, ka 317 mijë euro më shumë”, shpjegoi Rama.
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj dhe akuzave të opozites ndaj ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për koncensionin e hemodializës që ofron këtë shërbim edhe në institucionet shëndetësore publike, dhe jo vetëm në privat siç ka qenë deri më sot.

“Ministria e Shëndetësisë, deri tani, i ka dërguar të sëmurët në ambientet e institucioneve shëndetësore jo publike për të kryer shërbimin e hemodializës dhe në këtë aspekt ua ka nxirë jetën shumë pacientëve, të cilët kanë qenë të detyruar të lëvizin gjeografikisht për të marrë shërbimin dhe për shumën 80 euro për një seancë, i është ngarkuar pacientit. Ne kemi ndryshuar sistemin me të njëjtin çmim. Hemodializa nuk do të behet me ne spitale private, por në publike, dhe do ta bëjë privati që është në partneritet me shtetin. Privati do të bëjë investimin, shteti do paguajë 80 euro siç ka bërë më parë. Shteti nuk e ka bërë infrastrukturën, dhe nuk e bën dot edhe sot. Ndersa fatura është e pandryshuar, dhe pas 10 vjetësh e gjithë infrastruktura i mbetet shtetit”, tha Rama.

Advertisement