Kushtetuesja rrëzon Qeverinë, pranohet kërkesa e Presidentit

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Presidentit për shfuqizimin e ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. 

Në vendimin e saj, Gjykata ka shfuqizuar 5 pika të këtij ligji, ato që i merrnin kompetencat Presidentit. Bëhet fjalë për pikat që kanë të bëjnë me drejtimin e Forcave të Armatosura gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme apo fatkeqësive natyrore dhe ato që përcaktojnë detyrat e Kryeministrit.

Në ligjin e miratuar nga mazhoranca ishte përcaktuar se në gjendje të jashtëzakonshme ose në raste të fatkeqësive natyrore, drejtimi i Forcave të Armatosura merrej nga Kryeministri, por këto ndryshime janë shfuqizuar nga Gjykata si në kundërshtim me Kushtetutën.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dhe pikat të cilat i japin kompetencën Kryeministrit të vendit të miratonte, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje dhe pikën që ka te bëjë me nxjerrjen në rezervë ose lirimi, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, te oficerëve me grada madhore, me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kompetenca këto, të cilat më parë i ka pasur Presidenti i Republikës.

Gjithashtu është shfuqizuar dhe një pjesë e ligjit, e cila parashikonte se në kohë lufte Presidenti i drejton Forcat e Armatosura nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura.