Kryeministri Rama inspekton punimet e rrugës që lidh Tiranën me Dajtin

Rruga e vjetër, me gropa, që të çon në një nga zonat më rekreative të kryeqytetit, në Parkun e Dajtit, së shpejti do të jetë një kujtim për banorët e Tiranës. Në vend të saj, një rrugë e standardeve bashkëkohore do t’i japë impuls shndërrimit të saj në një zonë të mirëfilltë turistike për kryeqytetin.

Në kantierin e punës për ndërtimin e saj ishte sot kryeministri Edi Rama. Drejtuesi i punimeve shpjegon se rruga do të sigurojë jo vetëm lëvizjen normale, por shmang edhe flukset e trafikut, si dhe parashikon stacionet e autobusëve dhe vendqëndrimet e automjeteve. “Kemi planifikuar një përmirësim të projekti për stacionet e furgonave dhe autobusëve, për kazanët e mbeturinave, për vendparkimet e momentit, në mënyrë që kur vijë një makinë të mos bllokohet rruga”,  janë disa nga elementet e projektit që prezantoi drejtuesi i punimeve.

Advertisement

Një element, sipas kryetarit të komunës Kujtim Qefalia, i rëndësishëm në projektimin e rrugës është edhe pista e vrapimit deri tek komuna, çka, theksoi ai, do jetë një ndihmë e madhe pasi shumë banorë dalin për vrap në mëngjes.

Ndërsa për deputetin e zonës, Xhemal Qefalia, ndërtimi i saj është angazhim i përmbushur ndaj banorëve të Dajtit dhe të kryeqytetit. “Para dy vjetësh kemi qenë pikërisht këtu, ndërkohë që Berisha thoshte rrugë-rrugë dhe rruga për në Dajt ishte copë-copë. Njerëzit detyroheshin të mos e frekuentonin Dajtin. Ju realizuat këtë premtim, qeveria realizoi këtë premtim. Banorët e Dajtit ju mirëpresin dhe ju falënderojnë përzemërsisht për këtë angazhim të mbajtur të qeverisë. Kjo rrugë është në të gjitha parametrat për ta mbaruar dhe brenda afatit. Shpresoj që këtë dimër banorët e kryeqytetit, por dhe të tjerë nga Shqipëria të vijnë dhe ta frekuentojnë malin e Dajtit, si një Park i madh Kombëtar,” u shpreh Qefalia.

Një rrugë strategjike për zhvillimin ekonomik dhe urban të kryeqytetit e cilësoi kryeministri Rama. Tashmë që Dajti është pjesë e Bashkisë së re të Tiranës, theksoi kryeministri, do të vazhdohet me projekte të tjera zhvillimore, për ta transformuar në një zonë turistike dhe agrobiznesi.

“Bashkë me Xhemalin, pikërisht këtu në këtë pikë kemi qenë, kur erdhëm dy vjet më parë dhe konstatuam publikisht fatkeqësinë që kjo rrugë strategjike për zhvillimin ekonomik dhe urban të kryeqytetit ishte lënë në gjendjen më të tmerrshme dhe thamë që kjo do të jetë një rrugë prioritare. Puna ka filluar, po mbetet për t’u sqaruar fakti që kjo rrugë nuk çon tek shtëpia ime. Për arsye që janë misterioze, rruga që çon tek shtëpia ime është një nga rrugët e bëra, edhe pse nuk është rrugë e një rëndësie të madhe dhe e ka bërë Saliu. Komshinjtë aty thonë që ishte një histori tokash për interesa të caktuara, por unë nuk i hyj kësaj. Ajo që ka rëndësi është që ne do të bëjmë një rrugë shumë më turistike për të shkuar deri lart në Parkun e Dajtit. Tani që Parku i Dajtit është pjesë e bashkisë së madhe të Tiranës do të vazhdojmë me projekte për gjithë këtë zonë, sepse ka potenciale të mëdha, jo vetëm parku, por gjithë zona. Ka njerëz jashtëzakonisht punëtorë dhe që kanë nevojë vetëm për pak mbështetje për ta transformuar gjithë këtë zonë në një zonë turistike, në një zonë agrobiznesi, në një zonë që të jetë një mbështetje e fortë edhe në kuptimin mjedisor për gjithë frymëmarrjen e Tiranës”, tha kryeministri Rama.