Kotzias: Ligji i luftës nuk ekziston, s’ka ndryshim qëndrimi për kufirin detar

Vizita e Ministrit të Jashtem grek Nikos Kotzias nuk solli asnjë ndryshim sa i takon qëndrimit që ndan Shqipërinë dhe Greqinë për marrëveshjen e kufirit detar mes dy vendeve.

Në takimin mes Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe homologut grek, që zgjati afro 30 minuta më shumë se koha e parashikuar në axhendë, siç pranuan edhe vetë dy kryediplomatët, është folur për të skicuar një marrëveshje të re. Por siç lanë të kuptohet palët janë ende shumë larg gjetjes së një dakordësie. Nëse ajo nuk gjendet, Ministri Bushati thotë se do t’u duhet t’i referohen të drejtës ndërkombëtare, ndërsa në përgjigje të interesit të gazetarëve grek ai kërkon të mos bëhet asnjë analogjizëm me marrëveshjen e arritur vite me parë me Italinë.

Ministri Kotzias erdhi me një lajm të mirë, atë për heqjen e ligjit të luftës në traktatin e ri të miqësisë. Ai është optimist edhe për zgjidhjen e problemeve të tjera, teksa thotë se ato ekzistojnë për t’u zgjidhur.

Mes palëve u firmosën dy marrëveshje për bashkëpunimin në sektorët e turizmit dhe bujqësisë. Ministri i Jashtem grek vlerësoi emigrantët dhe studentët shqiptarë në Greqi, si provë e afrimitetit mes dy vendeve, gjë të cilën u përpoq ta tregojë edhe duke ia greqizuar emrin homologut Ditmir Bushati.