Klosi: 159 mijë punonjës nga puna në të zezë, në punë të siguruar

Kjo ka qenë shifra, që Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, pasqyroi sot në analizën vjetore të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Në prani të inspektorëve të terrenit të këtij Inspektoriati dhe drejtuesve të saj, Ministri Klosi bëri një përmbledhje të punës dhe arritjeve të këtij institucioni në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ashtu siç është shifra e 159.000 të punësuarëve të kaluar në formalitet, apo numri mesatar i kontribuesve në vitin 2015 për sigurimet shoqërore i cili rezulton të jetë mbi 718.000.

Kjo analizë vjetore e Inspektoriatit të Punës, përkon me përfundimin me sukses të aksionit kombëtar kundër informalitetit, ku e gjithë struktura inspektuese e inspektoratit të punës ishte pjesë e këtij aksioni. Për këtë, Ministri u shpreh: “Problematika aktuale e informalitetit në punë nuk zgjidhet vetëm me një fushatë apo aksion të përkohshëm, por ne jemi të ndërgjegjshëm që kjo fushatë ishte e domosdoshme deri në momentin kur procesi i integruar i rregjistrimit të të dhënave, lidhur me punësimin dhe sigurimet shoqërore, që po implementohet nga institucionet e perfshira, do të bëjë të mundur koordinimin dhe bashkërendimin e të gjithë aktorëve në luftën kundër informalitetit.”

Advertisement

Në fjalën e tij, Ministri gjithashtu dha orientimet e tij për punën e mëtejshme të këtij Inspektoriati, bazuar në prioritetet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e Qeverisë Shqiptare, si çështja e kushteve të punës dhe aksidenteve në punë, e cila është ndër më të rëndësishmet dhe më seriozet, apo ankesave të qytetarëve, të cilat vetëm për vitin që shkoi u trajtuan rreth 400 të tilla ose 6-fishi i ankesave të trajtuara në vitin 2013 nga inspektorët e punës, duke e konsideruar një shifër që flet qartë për rritje të besimit në publik ndaj Inspektoratit të Punës. Gjithashtu Ministri tha se duhet të vazhdohet të punohet me këtë ritëm pune dhe nuk duhet të ketë asnjë kompromis për zbatimin e ligjit, pasi inspektorët e punës duhet të jenë gardianët e mbrojtjes së tij.

Në mbyllje, Ministri paracaktoi, axhendën e punës së këtij Inspektorati, si shqyrtimi i numrit të aksidenteve në punë dhe në sa përqind të tyre janë marrë masa me gjobë? Apo shqyrtimi i numrit të personave me sëmundje profesionale, etj.

Shqipëria ka punë -shtoi Ministri- e themi këtë më shumë se kurrë, kur dita ditës pasqyrohen punët e denja të ofruara për qytetarët shqiptarë.”