LOS ANXHELES, 3 shkurt, Kendrick Lamar fitoi ”Grammy” për këngën më të mirë me “Not Like Us”, në të cilën ai nxit përplasjen me rivalin e përhershëm, Drake.
Reperi mundi Beyoncé, Taylor Swift dhe Billie Eilish për të fituar këtë trofe prestigjioz, të rezervuar për artistët që shkruajnë tekstet e tyre dhe kompozojnë muzikën e tyre.
Ky çmim vjen pikërisht në kohën e duhur për artistin, i cili do të mbajë koncertin gjigant tradicional në Super Bowl-in në javës e ardhshme.
Ylli amerikan i pop-it, Beyoncé Giselle Knowles fitoi çmimin ”Grammy” për albumin prestigjioz të vitit “Cowboy Carter” duke kaluar Taylor Swift dhe Billie Eilish.
Ajo ishte nominuar në katër raste të mëparshme, por nuk arriti të sigurojë çmimin me “I Am … Sasha Fierce” të vitit 2008, “Beyonce” të vitit 2013, “Lemonade” të vitit 2016 dhe “Renaissance” të vitit 2022.
Duke marrë çmimin, ajo tha se ”thjesht ndihem shumë e plotë dhe shumë e nderuar”.
”Kanë kaluar shumë, shumë vite dhe dua të falënderoj Grammy-t, çdo kompozitor, çdo bashkëpunëtor dhe çdo producent. Dua t’ia dedikoj këtë zonjës (Linda) Martell dhe shpresoj që të vazhdojmë të ecim përpara, duke hapur dyert. Zoti ju bekoftë. Faleminderit shumë”, shtoi ajo.
Ky çmim, më prestigjiozi i këtij ekuivalenti të Oscar-ëve të muzikës, është një shenjtërim për këngëtaren 43-vjeçare.
Ajo gjithashtu fitoi dy Grammy të tjera, përfshirë albumin më të mirë country.
Këngëtarja është artistja më e vlerësuar në historinë e çmimeve Grammy, falë trofeve të saj të shumta edhe në kategori më të vogla.
Por, ajo deri më tani ishte lënë pas për çmimin kryesor, në favor të interpretuesve të tjerë si Taylor Swift, Adele, Harry Styles dhe Beck.
Me këtë fitore, “Queen B” bëhet gruaja e katërt me ngjyrë që fiton ”Grammy” për albumin më të mirë, pas Lauryn Hill, Natalie Cole dhe Whitney Houston.
E lindur në Hjuston, Beyoncé i bëri një nderim të gjallë muzikës country me “Cowboy Carter”, e cila i dha asaj mundësinë për të eksploruar rrënjët e saj teksane.
Albumi heq imazhin e një zhanri të rezervuar prej kohësh për artistë meshkuj të bardhë.
Ajo mbulon, ndër të tjera, këngën klasike “Jolene” nga ylli i kantri Dolly Parton dhe “Blackbird”, kënga e ”Beatles” për nëntë adoleshentë me ngjyrë që u bënë ikona të lëvizjes për të drejtat civile duke u integruar në një shkollë të mesme të rezervuar për studentët e bardhë jugore të Shteteve të Bashkuara.
Përveç ”Grammy” për albumin më të mirë dhe albumin më të mirë country, ajo fitoi çmimin për dyshen më të mirë të country për këngën e saj “II Most Wanted”, të realizuar me Miley Cyrus.
Të prekurit nga zjarret e Los Anxhelosit janë vlerësuar për shpirtin e tyre kur filloi ceremonia e 67-të e çmimeve Grammy.
Komediani Trevor Noah e nisi ngjarjen duke folur për zjarret, të cilat kanë shpërngulur dhjetëra mijëra njerëz dhe kanë shkatërruar mijëra struktura.
Pritësi i ceremonisë së mbushur me yje në ”Crypto.com Arena” në Los Anxheles tha se ”vetëm disa javë më parë, ne nuk ishim të sigurt nëse sonte kjo shfaqje do të ndodhte”.
”Nuk keni nevojë që unë t’ju them këtë, por ky qytet sapo ka kaluar një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha në historinë amerikane. Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre, lagje të tëra janë fshirë dhe shkolla, biznese lokale dhe komunitete të tëra janë djegur deri në themel. Fatmirësisht, për shkak të veprimeve heroike të zjarrfikësve, zjarret tani janë vënë nën kontroll dhe pavarësisht gjithë shkatërrimeve, fryma e qytetit është shfaqur”, theksoi ai.
Më herët, Harvey Mason Jr, shefi ekzekutiv i Akademisë së Regjistrimit, hapi Ceremoninë e Premierës së Grammy duke bërë homazhe për komunitetin e Los Anxhelesit.
“Ne do të shpërndajmë disa trofe dhe do të shohim disa shfaqje të paharrueshme edhe këtë vit. Ne do të nderojmë gjithashtu fuqinë e madhe të muzikës për të frymëzuar, për të shëruar dhe për t’u bashkuar për shkak të zjarreve të fundit që shkatërroi Los Anxhelesin”, shtoi ai.