Intervista me Kadarenë/ Vajza e shkrimtarit shpërthen ndaj Ben Blushit: Bisedë e rëndomtë private në një kafene, e ka publikuar pa marrë pëlqimin e bashkëbiseduesit…

Vajza e shkrimtarit Ismail Kadare ka reaguar pas publikimit të një bisede në formë interviste nga Ben Blushi me babain e saj dhe botuesen e tij Alda Bardhyli.

Pas zërave të shumtë ditët e fundit mbi këtë bisedë të publikuar në ditëlindjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Besiana Kadare shkruan se Ben Blushi, në fakt, ka krijuar një intervistë, pa dijeninë e të atit, bazuar në një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafene me Kadarenë dhe shoqëruesen e tij, A. Bardhyli.

Advertisement

Sipas saj, Blushi ka abuzuar me besimin që iu akordua dhe e quan një gjest imoral dhe të paligjshëm.

DEKLARATA E PLOTË
Duke qenë se plot miq e të njohur më kanë pyetur këto ditë nëse Kadareja vërtetë i ka dhënë një intervistë Ben Blushit, dua të sqaroj publikisht se Ben Blushi, në fakt, ka krijuar një intervistë, pa dijeninë e tim ati, bazuar në një bisedë të rëndomtë private që ka zhvilluar rastësisht në një kafene me Kadarenë dhe shoqëruesen e tij, A. Bardhyli.

Kohë më pas, Ben Blushi e ka publikuar bisedën në formë “interviste”, pa marre pëlqimin e bashkëbiseduesit, duke abuzuar kështu me besimin që iu akordua dhe me “kurajën” e çuditshme se po i zbulon publikut shqiptar sekrete të paditura. Një gjest ky sa imoral aq dhe i paligjshëm.
Fatkeqësisht është bërë praktikë tashmë që gjithfarë njerëzish shpresojnë të bëjnë publicitet, duke u përpjekur të shfrytëzojnë në forma të ndryshme figurën e Kadaresë dhe kontaktin me të. Duke pasur parasysh moshën e thyer të tim ati, çdo përpjekje e këtij lloji është vërtet mjerane.