I vë zjarrin 4 automjeteve, në pranga 23-vjeçarja

Një 23-vjeçare spërkat me benzinë katër automjete dhe më pas u vë zjarrin. Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Kokonozi”.

Automjetet  e përfshira nga zjarri janë tip “Audi”, “Volkswagen”,  “Rulotë” dhe një kamionçinë dhe në pronësi të shtetasit V. P., 56 vjeç, banues në Tiranë.  Si pasojë e zjarrit automjeti tip “Audi” dhe mjeti “Rulotë”, janë shkatërruar plotësisht.  Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor në bashkëpunim me ekspertët e MZSH-së .

Advertisement

Nga veprimet e para procedurale, ka rezultuar se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë i qëllimshëm dhe ka rezultuar se është spërkatur me benzinë fillimisht njëri nga mjetet. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë fiksuar pamjet filmike të momentit kur është vënë zjarri duke arritur të mundësohet identifikimi i autores së dyshuar.

Pas identifikimit është bërë ndalimi i shtetases Desara Mancellari, 23 vjeç, banuese në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshjet e saj në momentin që ka kryer këtë veprim të kundraligjshëm.  Dyshohet se motiv i zjarrvënës ka rezultuar një konflikt për motive të dobëta, midis shtetases Desara Mancellari me djalin e shtetasit V. P. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë për veprën penale: “Shkatërrim pronës me zjarr”.