Harrojeni Liverpulin! ”Beatles”-at e filluan legjendën në Hamburg

Gjashtëdhjetë vjet më parë, në mbrëmjen e 17 gushtit 1960, pesë të rinj anglezë dolën në skenën e ”Indra Club”.

Harrojeni Liverpulin! Karriera e ”Beatles”-ave filloi në Hamburg. Ishte ky qyteti ku muzikantët e rinj hodhën themelet për historinë e tyre globale. Ata kënduan gjithsej 1 200 orë në skenë në 281 koncerte, megjithëse Hamburgu ka pak nga ajo trashëgimi për të treguar.

Gjashtëdhjetë vjet më parë, në mbrëmjen e 17 gushtit 1960, pesë të rinj anglezë dolën në skenën e ”Indra Club”. Askush nuk e di me siguri se me cilën këngë John Lennon, Paul McCartney, George Harrison, Stuart Sutcliffe dhe Pete Best nisën mbrëmjen, por ka të ngjarë të jetë një këngë e mirënjohur rock’n’roll-i nga Little Richard, Gene Vincent ose Chuck Berry.

Pesë muzikantët, të cilët ishin vetëquajtur “The Beatles” pak kohë para se të linin qytetin e tyre të lindjes, Liverpulin, kishin mbërritur një natë më parë pas një udhëtimi 36-orësh me një autobus të vjetër të gjelbër ”Aston”.

Tre nga pesë të rinjtë do të bëheshin idhuj të brezit të tyre. Ndikimi i tyre në kulturën popullore të viteve ’60 ishte i jashtëzakonshëm dhe vazhdon të ndihet edhe sot.

Por, kishte akoma një rrugë për të bërë. Në Hamburg, puna ishte e vështirë dhe pagesa ishte e tmerrshme. Ata qëndruan në skenë për katër orë e gjysmë në ditë, madje edhe gjatë fundjavave.

Më i moshuari i tyre, Stuart Sutcliffe, ishte vetëm 20 vjeç, më i riu, George Harrison, vetëm 17. Ata nuk flisnin gjermanisht dhe flinin në dy dyqane pa dritare.

Kjo përvojë e shndërroi grupin.

“Në Hamburg u rritëm”, ​​tha më vonë John Lennon.

Ata duhej të improvizonin, shtuan pjesë të reja dhe zhvilluan një prani më të mirë skenike.

“Por, ata nuk guxuan të prezantojnë këngët e tyre në skenë”, thotë Stefanie Hempel, një nga ekspertet kryesore të ”Beatles” në Gjermani.

Ata ende nuk ishin të sigurt aq sa do të aspironin të ishin një nga emrat më të mëdhenj në rock’n’roll.

Por, qëndrim i parë në Hamburg përfundoi keq, kur grupi u përpoq të prishte kontratën për të luajtur në ”Top Ten”, një klub më i madh dhe më i mirë. Por, më vonë, deri në prill 1961, ata u kthyen në portin verior të Gjermanisë, për 92 mbrëmje në klubin ”Top Ten”.

Hamburgu ishte ndër vendet më të mira për muzikë live në Europë në atë kohë.

Grupi, gjithnjë e më profesionist, po luante para një audience më të madhe.

Gjatë pesë qëndrimeve të tyre në Hamburg, ”Beatles” luajti gjithsej 1 200 orë në skenë në 281 koncerte.

Ata u rikthyen në qytet, në qershor 1966, si yje dhe dhanë dy koncerte në ”Ernst-Merck-Halle”.

Nga pesë të rinjtë që luajtën atë koncert të parë në Hamburg, 60 vjet më parë, dy janë akoma gjallë, Paul McCartney dhe bateristi Pete Best.

I pari është një legjendë, ndërsa i dyti ka punuar për vite të tëra në Zyrën e Punësimit në Liverpul. Ai u zëvendësua nga Ringo Starr, por, më vonë përfitoi nga suksesi. Kur 10 këngët që ai interpretoi gjatë viteve të para, u publikuan në vitin 1995, Best mori një pjesë të të ardhurave dhe papritmas u shndërrua në milioner.

Burimi: ATA