Erling Haaland ka surprizuar fansat me një ndryshim të rëndësishëm në pamje, duke i dhënë fund flokëve të gjatë biondë që prej vitesh ishin kthyer në një nga tiparet më dalluese të tij.
Sulmuesi i Manchester City-t ka zgjedhur një prerje shumë më të shkurtër, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Pas transformimit që u bë menjëherë viral fshihet një emër shqiptar. Bëhet fjalë për Juna Ademin, një parukiere shqiptare që prej vitesh jeton dhe punon në Angli.
Ajo shfaqet në videon e transformimit duke realizuar prerjen e re të futbollistit norvegjez.
Në videon e publikuar në kanalin e YouTube të Haaland, Juna shihet e buzëqeshur dhe paksa “e stresuar”, siç shprehet edhe në video, ndërsa i jep futbollistit pamjen e re.
Flokët e gjatë, që për vite me radhë ishin kthyer në një prej “shenjave dalluese” të yllit norvegjez, tashmë janë zhdukur.
Haaland ka dokumentuar të gjithë procesin dhe më pas ka zbuluar rezultatin final, duke e cilësuar ndryshimin si një fillim të ri për sezonin.
Reagimet e fansave ishin të menjëhershme, me diskutime nëse pamja e re i shkon më shumë apo nëse Haaland identifikohet më shumë me flokët e gjatë.
Kështu, ndryshimi i pamjes së një prej futbollistëve më të njohur në botë ka vendosur në qendër të vëmendjes edhe Juna Ademin, shqiptaren që realizoi prerjen e re të Erling Haaland. /Telegrafi/





