Gjykata pezullon testin e infermierëve

Infermierët nuk do t’i nënshtrohen provimit në datën 28 shkurt, ashtu siç ishte vendosur nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjykata Administrative e Apelit vendosi pezullimin e procesit të testimit për bluzat e bardha deri në shqyrtimin e çështjes, pas padisë së depozituar nga Urdhëri i Infermierit.
Në padinë civile të ngritur ndaj Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Urdhëri i Mjekut kërkoi pezullimin dhe më pas shfuqizimin e urdhërit numër 79, të datës 12 shkurt 2015 që mban firmën e Ministrit.
Pas marrjes në shqyrtim të çështjes, Gjykata ka vendosur masën e sigurimit të padisë, duke i hapur kështu udhë gjykimit të saj në themel.
Deri atëherë, Ministria nuk mund ta kryejë testin e infermierëve dhe mjekëve, siç kishte planifikuar. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tha se do të respektojë vendimin e Gjykatës dhe do të presë gjykimin e çështjes në themel.
Testimi, i konsideruar nga Ministri i Shëndetësisë si një skaner i gjendjes së dijeve të mjekëve dhe infermierëve, u kundërshtua nga këta të fundit.
Ata e konsiderojnë testimin antiligjor dhe denigrues për figurën e tyre.
Për pasojë mjekët dhe infermierët organizuan protesta të njëpasnjëshme në disa spitale të vendit dhe hartuan një peticion ku kërkonin anullimin e vendimit dhe dorëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Peticioni me 8 mijë firma iu dorëzua Presidentit, Kryeministrit, deputetëve dhe përfaqësive të institucioneve ndërkombëtare. Po kështu, ata paralajmëruan me bojkot të punës të shtunën, ditën e caktuar nga Ministria e Shëndetësisë për nisjen e testimit të infermierëve.

Advertisement