Gjiknuri: zhbllokohet situata në sektorin e energjisë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka dalë sot përpara mediave për të deklaruar se sektori energjetik është duke u rimëkëmbur falë masave të marra nga qeveria.

“Përmirësimi i performancës së kompanisë së shpërndarjes, përmes rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve, po shoqërohet me shtimin e likujditetit në sektor duke zhbllokuar situatën e krijuar”, deklaroi Gjiknuri duke rikujtuar se ka nisur edhe shlyerja e borxheve të akumuluara ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë. “Detyrimi ndaj HEC-eve private përfshirë HEC Ashta, për periudhën Janar-Tetor 2014 është 7.89 miliard lekë. Deri në fund të vitit, detyrimi parashikohet të arrijë deri në 8.87 miliard lekë. Nga ky borxh është likujduar 2.99 miliard lekë ose 34% e tij. Ka filluar këto ditë likujdimi me mbi 1.1 miliard lekë i detyrimeve, i cili do të plotësohet brenda këtij muaji edhe me 2 miliard lekë të tjera, duke arritur në një shlyerje të borxhit në nivelin mbi 70%”, saktësoi ministri Gjiknuri. Ndërkaq niveli i humbjeve për muajin Nëntor, sipas ministrit të energjisë, ka shënuar një rënie të theksuar, duke arritur në 32.8% ndërsa nëntorin e vitit 2013, niveli i humbjeve ishte 48%. “Për sa i takon arkëtimeve, për muajin nëntor ato kanë arritur në 4,38 miliard lekë ose krahasuar me nëntorin e vitit 2013 konstatohet një rritje me 47.2%. Për periudhën Janar-Nëntor 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, arkëtimet janë rritur me 8,2 miliard lekë ose ndryshe 23.5% më shumë” tha ministri Gjiknuri.

Advertisement