Durrës | Rama: do frenojmë barbarinë ndaj trashëgimisë kulturore

Partia Socialiste organizoi në qytetin e Durrës një aktivitet në fokus të të cilit ishte mbrojtja e trashëgimisë kulturore, ku të pranishëm ishin kryetari Edi Rama, kryebashkiaku i këtij qyteti Vangjush Dako si dhe specialistë dhe aktivistë të njohur në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama u përqendrua fillimisht në objektet e trashëgimisë kulturore të qytetit të Durrësit, ku sic u shpreh ai, politika e 20 viteve të fundit ka zhvlerësuar tërësisht rëndësinë e tyre. “Trashëgimia kulturore është themeli i politikës ekonomike dhe ka të bëjë me imazhin dhe identitetin e vendit si dhe me sensin e së shkuarës dhe të ardhmes”, tha Rama. “Ne kemi një program i cili na ndan shumë qartë nga ata që qeverisin Shqipërinë. Vizioni i një Shqipërie të zhvilluar është i lidhur ngushtësisht me nevojën për të mbrojtur atë cka kemi trashëguar si komb, ndërkohë që këndvështrimi i pushtetarëve të sotëm për zhvillimin e këtij sektori, është të fitojnë sot për sot dhe të shkatërrojnë atë cka është trashëguar”, u shpreh ai. Rama e cilësoi absurditet mbylljen e amfiteatrit të Durrësit, më i madhi i ndërtuar nga romakët jashtë Romës, si dhe gjëndjen jashtë cdo standarti infrastrukturor të muzeut arkeologjik të këtij qyteti. “Mosvlerësimi nga shteti i këtyre objekteve me vlera të rralla kulturore dhe historike, i kanë mohuar edhe një tjetër mundësi ekonomike komunitetit”, vlerësoi kryesocialisti. Për të vazhduar fjalën e tij, Rama zgjodhi t’i referohej qytetit dhe rrethinave të Krujës, ku sipas tij, është një nga pikat ku gjithkush mund të bëjë dallimin mes socialistëve dhe qeverisë. Ai denoncoi shfrytëzimin pa asnjë kriter, sic e cilësoi ai, të territorit dhe pasurive që mbart kjo zonë, ku për hir të pasurimit të një grupi njerëzish, qyteti dhe zonat përreth po kthehen në një gërmadhë të pabanueshme. “Duke na votuar ne, do të votoni për frenimin e barbarisë dhe për rehabilitimin e natyrës, vazhdoi Rama, pasi sipas programit tonë, do të mundësohet fuqizimi i ekonomisë nëpërmjet prurjeve që Kruja tërheq me vlerat e saj historike”.

Advertisement