Durrës | Rama: Brenda mandatit, transformim real të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm

Kryeministri Edi Rama premtoi se brenda mandatit të parë, qeveria do të realizojë transformimin real të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe do t’i japë fund faqes së errët të higjienës së ujit në qytetin bregdetar të Durrësit. Premtimi i Ramës u bë gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Bashkinë e Durrësit, mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, që konsiston në ndërtimin e një sërë veprash infrastrukturore që do të zgjidhin përfundimisht problemin e furnizimit më ujë të pijshëm të Durrësit dhe zonave turistike të këtij qarku. Sipas Ramës, “kjo marrëveshje është piknisja e një rruge që do të sjellë ndryshimin rrënjësor, duke i dhënë zgjidhje një problemi gjysëm shekullor që ka penalizuar jetën e qytetarëve të Durrësit, por edhe të qindra mijëra turistëve që vizitojnë bregdetin e Durrësit gjatë sezonit veror”. Kreu i qeverisë, gjithashtu shprehu kënaqësinë për fillimin nga puna të impiantit të përpunimit të ujërave të zeza që derdheshin në det. “Jam i kënaqur që edhe impanti për përpunimin e ujërave të zeza, që kishte përfunduar prej kohësh, por qëndronte i bllokuar, sot është në punë dhe një pjesë e konsiderueshme e ujërave të zeza përpunohet sipas standardeve ndërkombëtare. Tashmë do kemi një sistem të integruar të furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe të sistemit të pastrimit të ujrave të zeza”, u shpreh Rama. Kryeministri gjithashtu u zotua se qeveria e tij do të reformojë rrënjësisht edhe sistemin e menaxhimit të burimeve ujore, pasuri kjo që, sipas tij, natyra na e ka dhuruar me buajri, duke e kthyer atë në mirëqenie për qytetarët. “Kjo sfidë do të arrihet nëpërmjet vënies në jetë të një koncepti të ri të administrimit të kësaj pasurie dhe transformimit të plotë të marrëdhënjeve qeveri qëndrore-qeveri lokale”, nënvizoi Rama në fjalën e tij. Marrëveshja e nënshkruar në Durrës mes Qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore, e cila tre javë më parë vendosi të japë një kredi prej më shumë se 85 milione USD, do të mundësojë fillimin e realizimit të një sërë investimesh për sektorin e Ujit. Objektivat e projektit, me kohëzgjatje disavjecare, janë investimet parësore në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit, për të përballuar pamjaftueshmërinë e tij gjatë pikut të sezonit turistik, si dhe investimet parësore për të ulur humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit. Në të njejtën kohë, janë parashikuar investime në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjes së kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike, në impiantin ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza në Durrës. Brenda të njejtit investim do të mbështetet Ndërmarrja e Ujësjellësit të Durrësit, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara prej saj dhe situatën e saj financiare. Përfituesit kryesorë të projektit do të jenë rreth 400,000 qytetarë në sezonin e pikut (330,000 në pjesën tjetër të vitit), të cilët do të përfitojnë nga përmirësimet e shërbimeve në rajonin e Durrësit. Kjo përbën një përmirësim rrënjësor përsa i përket furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të zeza, mbulim më të gjerë të zonave urbane dhe rurale, si dhe mbrojtje më të mirë mjedisore të burimeve ujore në bregdet” kanë bërë me dije specialistët e lartë të Bankës Botërore për sektorin e ujit. Huaja e prej 85.3 milionë dollarësh amerikanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit në Shqipëri, ka për qëllim të përmirësojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në rajonin e Durrësit, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe njëri prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, si dhe porti kryesor i Shqipërisë.