Durrës – Rama, 28 qershori fillimi i një epoke të re

Rama tha se do të hapet një fond i veçantë që të gjithë investimet e mbledhura në zonat informale të kthehen si lagje të reja të qyteteve tona. Rama tha se mbeten 27 ditë për tu dhënë rrethinave të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë qyteteve të mëdha politikën e re të integrimit urban. Mbeten dhe 27 ditë tha Rama për tu vënë mësuesve dhe mjekëve shtetin në krah për të shënuar sipas tij një faqe të re në arsimin dhe shëndetësinë në vend. “Edhe 27 ditë për tu vënë mësuesve dhe mjekëve shtetin në krah dhe për të shkruar bashkë me ta një faqe të re në historinë e arsimit dhe shëndetësisë shqiptare”- u shpreh Rama. Nga Durrësi Rama i është përgjigjur thirrjeve të përsëritura të Berishës për mos kandidimin e tij në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke cilësuar Berishën si kryeplak të politikës së vjetër Rama u përgjigj se nuk ka ndërmend të braktisë qytetarët e Tiranës dhe besimi që atij i kanë dhënë për mandatin në krye të Bashkisë. Transformimin e thellë që ka pësuar Tirana tha Rama pas 28 qershorit do ta pësojë e gjithë Shqipëria. “I them kryeplakut të politikës së vjetër se karrigia e deputetit mund ti duhet atij që do të jetë në opozitë, ndërsa mua nuk më duhet një mandat për të ndenjur ulur por një mandat për të qënë në këmbë në krye të transformimit të madh”- theksoi kryesocialisti Rama. Duke bërë thirrje për tu ndarë nga regjimi i Berishës, Rama tha se edhe 4 vite të tjera me të janë një dëm i pallogaritshëm për këtë vend. Ndarja nga Berisha është ndarja përfundimtare me politikën e vjetër. “I kemi provuar të gjithë ata kryeministra dhe ish kryeministra që sot ju kërkojnë përsëri votën për tju drejtuar dhe që as dinë as munden dhe as duan të bëjnë ndonjë gjë më shumë se sa kanë bërë në këto 18 vite”- tha Rama. Rama i cilësoi zgjedhjet e 28 qershorit si ndarje njëherë e mirë me të shkuarën por edhe një epokë e re për të gjithë shqiptarët.

Advertisement