Detajet larg perfektes, por me shumë dashuri në kopertinën e “Receta për 5 minuta” të Arbanës

Prej shumë kohësh Arbana na ka përgatitur që do të kemi në duar librin e saj të dytë të gatimit, “Receta për 5 minuta”. Gjatë javëve të fundit, Osmani ka ndarë plot receta me ndjekësit nëpërmjet videove të ndryshme në rrjetet sociale, për të na vënë në dukje dhe një herë pasionin për gatimin.

Advertisement

Libri do të jetë në treg në nëntor dhe moderatorja e bëri këtë të ditur ditën e djeshme nëpërmjet një postimi. Foto e kopertinës, së pari, përfshin një personazh që Arbana e do aq shumë. Joni në krahët e së ëmës, duke i dhuruar një puthje plot dashuri dhe spontanitet. E sa për këtë të fundit, duket se Osmani e ka patur primar për realizimin e kësaj kopertine.

Një Arbanë shumë origjinale, pa poza të sforcuara, në kornizat e një kuadri që fokus kryesor ka lidhjen e saj të fortë me të birin. Pa grim të rënduar, me flokë të kapura në mënyrë të çrregullt thuajse në kushte shtëpie, vihet re qartazi që Osmani nuk ka dashur të ekspozojë asgjë jashtë origjinalitetit.

Të dy të buzëqeshur, Arbana dhe Joni na sjellin më pranë të përditshmes, duke na përcjellë harmoninë e gjesteve në dukje të vogla, por të mbushura plot dashuri. Një mësim ky që na kujton se perfeksioni nuk është realitet, as kur mundohet të arrihet nëpërmjet imazhit.

E duke qendruar në ujërat e dashurisë, kujtojmë se çdo foto në libër, përfshirë dhe atë të kopertinës, është realizuar nga Eduart Grishaj. Të jetë vallë ky këndëvështrimi i regjisorit për Arbanën – portretizuar me thjeshtësi dhe lumturinë që i shndërrit në fytyrë? Duke marrë parasysh natyrën kreative të çiftit, besojmë se të dy kanë qenë kontribuesit e përkryer për realizimin e një kopertine kaq speciale, që do të veçojë gjithmone nga të tjerat.

/News31.al/