Çështja “McGonigal”, Kongresi amerikan nis hetimet, kërkon informacione për ish-zyrtarin e FBI…

Çështja “McGonigal” shkon ne Kongresin Amerikan. Komisioni Juridik i dhomës së përfaqësueseve të drejtuar nga republikanët në SHBA, kërkon informacione për ish-zyrtarin e lartë të Byrosë Federale të Hetimeve, përmes një letre dërguar drejtorit të FBI-së, Christofer Wray.

Kryetari i Komisionit, Jim Jordan, dhe republikani tjetër, Matt Gaetz, kërkojnë informacione në lidhje me punën e tij apo veprime të ndërmarra që vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

Advertisement

“Ju lutem siguroni informacion në lidhje me të dhënat personale të Charles McGonigal, duke përfshirë historikun e punës së tij, formularët e vlerësimit, sigurisë dhe dokumente të lidhura me to”, thuhet në letër. Ish-agjenti special i FBI-së është akuzuar javën e kaluar për pastrim parash, shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe vepra të tjera të lidhura me punën e tij me një oligark rus.

Edhe në Shqipëri, Partia Demokratike ka mbledhur firmat e nevojshme për të kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen McGonigal. 42 deputetë demokratë kanë firmosur për ngritjen e këtij komisioni.

Kështu, PD-ja kërkon ndër të tjera ngritjen e këtij Komisioni në mënyrë që të verifikohet ligjshmëria e kontakteve dhe marrëdhënieve të kryeministrit Edi Rama me agjentin e FBI-së, Dorian Duçkën e Agron Nezën, si dhe përfshirja e tyre në marrëdhënie dhe ndërveprim me McGonigal dhe oligarkun rus, Oleg Deripaska.