Celine Dion rikthehet me një këngë të re!

Celine Dion do të jetë pjesë e kastit të komedisë romantike “Love Again” dhe i është besuar edhe kolona zanore, e cila mban të njëjtin titull.

Kënga “Love Again” është një baladë, ashtu siç i ka hije Celine dhe videoklipi është me pjesëza nga filmi, në të cilin luajnë Priyanka Chopra Jonas dhe Sam Heughan. Në një moment, si suprizë, shfaqet edhe Nick Jonas.

Advertisement

Kolona zanore e “Love Again” shënon edhe rikthimin e Dion me një këngë në gjuhën angleze, që pas albumit “Courage” në vitin 2019.

“U argëtova shumë me këtë film dhe pata nderin të aktroja me të bukurën dhe të talentuarën, Priyanka Chopra Jonas dhe Sam Heughan. Pjesëmarrja në filmin e parë (në karrierën time) është një dhuratë që do ta kujtoj gjithmonë”, tha Dion dhe iu referua historisë së komedisë si një “histori fantastike që të bën të ndihesh mirë”. Ajo shpreson që njerëzit do të pëlqejnë filmin, por edhe këngët e saj (5 në total).

“Love Again” është projekti i parë i Celine Dion, pas diagnozës se vuante nga sindroma Stiff-Person (sindroma e “personit të ngurtë”), një gjendje e rrallë neurologjike, e cila e detyroi Dion të anulonte shumë shfaqje dhe turne.

SPS është një çrregullim i rrallë neurologjik me tipare të një sëmundjeje autoimune. Kjo sindromë i kthen njerëzit në “statuja njerëzore” dhe ndodh 1 në 1 milion raste sepse bëhet fjalë për ngurtësim të muskujve. SPS karakterizohet nga ndjeshmëri e shktuar e muskujve dhe lëvizje e pakontrolluar e tyre pas çdo stimuli, qoftë kjo zhurmë, prekje, stres, etj. Sëmundja mund të shkojë deri aty sa që lëvizja apo e folura të bëhet e pamundur.

Për diagnozën e Celine Dion nuk ka një kurë specifike, por vetëm trajtime që mund të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes. Jetëgjatësia e dikujt me SPS mund të shkojë nga 6 deri në 28 vite, varet nga gjendja shëndetësore e gjithsecilit.