Bosnje – Heqja e vizave në qershor edhe për Shqipërinë

Pohimin e bëri në Sarajevë, Miguel Angel Moratinos, ministër i Jashtëm i Spanjës, vend ky që kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Z. Moratinos tha se “Ballkani Perëndimor dhe Bosnja janë lart në listën e prioriteteve të BE-së”. Ai këto komente i bëri pas takimit me ministrin e jashtëm të Bosnjës, Sven Alkalaj, në Sarajevë. Zoti Moratinos evidentoi faktin se në qershor në Sarajevë, me nismën e Spanjës, do të mbahet samiti Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, i cili, sipas tij, do të ketë rëndësi historike dhe do të jetë rast për Bosnjë Hercegovinën, që të tregojë përcaktimin e saj për ardhmëri evropiane. Moratinos ka theksuar se Bashkimi Evropian është i gatshëm për ta shpallur tërheqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Ballkanit Perëndimor, në muajin qershor. Ndërkohë për Bosnje Hercegovinën, Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, citohet të ketë deklaruar se “zyrtarisht do ta shpallim tërheqjen e regjimit të vizave në qershor 2010”. Moratinos ka thënë se shpallja e këtij vendimi do të bëhet gjatë samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, në Sarajevë, në fillim të qershorit dhe nga ky vendim pritet të përfitojë dhe Shqipëria.

Advertisement