Blushi: E papranueshme mbrojtja e përdhunuesit

Deputeti Ben Blushi, duke marrë fjalën në seancën plenare të kësaj të enjteje, ka hedhur kritika të ashpra ndaj ish-partisë së tij lidhur me rastin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi. “Kryetari i bashkisë ikën për shkak të ligjit sepse ka përdhunuar, partia del në protestë dhe e mbron. Ky është dëmi më i madh që Rilindja i ka bërë Shqipërisë. Vetëm në Shqipëri ndodh që nga burgu ti vjen në detyrë publike. Rilindja është kthyer në vëllazërinë e vesit. Nuk do të doja të isha socialist nëse të jesh socialist do të thotë të mbrosh krimin”, ka thënë Blushi. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i është përgjigjur akuzave të Blushit, duke i cilësuar ato si të papranueshme. “I fundit nga i cili do të doja të dëgjoja akuza të tilla është Blushi. Të thuash se nuk jam socialist sepse kjo do të thotë të mbrosh kriminelët, unë ndihem i fyer. Edhe sipas meje, ti nuk je më socialist”, ka thënë Tahiri.
Sikurse dhe herë të tjera, Tahiri ka thënë se kjo qeveri është e para që ka shënuar një qasje të re ndaj shtetit ligjor. “Nuk ka pasur kurrë më parë një qasje me shtetin ligjor si kjo që është sot. Ky Parlament është ngritur pas vitit 2013-s nga një rrënojë morale”, ka vijuar Tahiri.
Duke iu referuar rastit të kryebashkiakut të Kavajës, ministri ka shtuar se, “këtu ndahemi kur përballë kemi fakte të pakundërshtueshme, sikurse ndodhi me Rroshin”.
Por Blushi nuk ka qëndruar pa iu përgjigjur ish-kolegut të tij. “Nuk mund të më tregosh ti mua që jam apo nuk jam socialist. Ti nuk mbrojte PS, por Rilindjen e falimentuar. Kush ka përdhunuar? Unë apo kreu i Bashkisë së Kavajës?! Nuk mund të jem socialist nëse të jesh socialist do të thotë të mos mbrosh interesin publik. Unë nuk mund të jem socialist si Kokëdhima, Ndoka apo Rroshi”, ka thënë Blushi.

Advertisement