Bilanc tragjik! Mbi 9000 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri/ Ekipet e kërkim-shpëtimit në garë me kohën…

Mbi 9000 persona është bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.

Zyrtarët thanë më 8 shkurt se 6.234 persona janë konfirmuar se janë vrarë në Turqi dhe 2.470 në Siri. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja.

Advertisement

Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.

Por, përpjekjet e shpëtimit janë penguar nga temperaturat e ulëta dhe qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.

Në qytetin sirian të Xhindajrisit, një foshnje e sapolindur u nxor nga rrënojat.

“Ne pastruam pluhurin dhe e gjetëm foshnjën që kishte ende kordonin e kërthizës, e premë atë dhe kushëriri im e mori foshnjën e dërgoi në spital”, tha një familjar i foshnjës së shpëtuar nga rrënojat.

Disa prej dëmeve më të mëdha janë regjistruar në provincën turke të Gaziantepit, ku qindra ndërtesa janë shembur dhe janë bllokuar rrugët, duke penguar përpjekjet e shpëtimit.

Personat që i kanë mbijetuar tërmetit, shumica prej të cilëve nuk kanë këpucë e as rroba të ngrohta, po përballen me mbijetesë në temperatura të ulëta.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet që të vizitojë zonën e prekur nga tërmetet sot.

“Kjo është një prej fatkeqësive më të mëdha në rajonin tonë dhe në botë, jo vetëm në historinë e republikës sonë”, tha ai.

Në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat prej 12 vitesh. Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës.