Ky ishte angazhimi që shprehu kryeministri Sali Berisha në Belsh, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Asqeri Kuqja. “Në shtëpinë e alternativës për qytetarin ka vend për të gjithë” tha Berisha duke theksuar se “dera e saj është e hapur” dhe përforcuar “Është i mirëpritur çdo shqiptar, janë të mirëpritur të gjithë qytetarët duke i garantuar se mendimi i tyre, vizioni i tyre do të ketë vlerësimin më të madh”. Kryeministri në tubimin me qytetarë të Belshit, u angazhua se së bashku me qytetarët e këtij vendi dhe kandidatin Kuqje, në 4 vitet që vijnë do të punohet me të gjitha forcat për të shndërruar Belshin në një qytet të zhvilluar, turistik, industrial. Berisha shprehu angazhimin se në 4 vitet që vijnë do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo rrugë, çdo trotuar, çdo rrugicë e këtij qyteti dhe fshatrave të kësaj bashkie. Duke u ndalur tek infrastruktura, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve të fundit në qarkun e Elbasanit janë ndërtuar 430 km rrugë, nga te cilat vetëm në rrethin e Elbasanit janë 203 km, ndërsa 34 km janë dy akset rrugore që lidhin Belshin dhe Pajovën, si dhe Belshin me Lushnjën, për të vazhduar më tej ndërtimin e boshtit të jugut. Kryeministri vlerësoi si një projekt shumë të rëndësishëm ndërtimin e korridorit Tiranë- Elbasan. “Ky korridor prej 31,7 km me tunel 2.4 km me 21 vija dukëse, 7 mbikalime, kater nënkalime do të shkurtojë mbi 25 minuta distancën Elbasan- Tiranë, do të hapë Tiranën, tregun e fuqishëm të saj për prodhuesit e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit e më gjerë.” u shpreh Berisha.