Atentat drejtorit të burgut të Fushë-Krujës. Shpërthen bomba me telekomandim, plagoset rëndë Arben Suloj

Automjeti i drejtorit të burgut të Fushë-Krujës ka shpërthyer mëngjesin e të hënës teksa ndodhej në lëvizje.

Shpërthimi ndodhi pak pasi Arben Suloj ishte futur me automjet në territorin e portit detar nga hyrja nr.2 për të shkuar në vendin e punës. Pas shpërthimit Arben Suloj ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me një shtyllë të sinjalistikës dhe rrethimin e portit. 46-vjeçari është dëmtuar në gjymtyrët e poshtme dhe pjesën e kolonës. Pas ndërhyrjes në Durrës, ai është dërguar drejt spitalit të traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar. Sipas drejtuesve të spitalit të Durrësit, Suloj është jashtë rrezikut për jetën. Burime policore e lidhin ngjarjen me një akt kriminal për shkak të detyrës. Hetimet janë përqëndruar në këtë pistë duke e lidhur dhe me masat e marra për vënien rregull brenda ambjenteve të burgut të Fushë-Krujës, masa që duket se kanë lënë dhe të pakënaqur mes të burgosurve. Nga shkalla e dëmtimit të mjetit rezulton se është perdorur një sasi e vogël eksplozivi për të kanosur me jetë drejtorin e burgut. Dyshohet se mjetit mund t’i jetë vendosur sasia e eksplozivit një ditë më parë, ndërsa autori ka zgjedhur ta kryejë shpërthimin e telekomanduar pak pasi automjeti tip ‘Opel’ është futur në port, siç bënte zakonisht, për të shmangur trafikun e rënduar të mëngjesit në Durrës. Kjo është bomba e tretë e telekomanduar që shpërthen brenda pak ditëve në zonën e Durrësit. Shenjestra e parë ishte Ardian Trota, një person me precedent penal, nga Kukësi që shpëtoi i plagosur nga shpërthimi shumë i fortë. Pas atentatit që u bë ndaj tij, ai u arrestua për shkak se kishte thyer vendimin për arrestim shtëpie dhënë për vjedhje të energjisë elektrike. Të dielën pasdite, rreth orës 17 e 30 minuta shpërtheu bomba e dytë në zonën e Durrësit. Shenjeshta ishte automjeti i një 37-vjeçari emigrant në Angli. Pas atentatit të parë policia nisi një seri aksionesh kontrolli dhe mbrëmjen e së shtunës njoftoi se arrestoi disa persona që mbanin e përgatisnin bomba të telekomanduara për atentate. Katër persona u arrestuan natën e së shtunës për trafik të lëndëve eksplozive, ndërsa u sekuestruan tre bomba me lënde eksplozive C4 të montuara me celular janë sekuestruar natën e kaluar në qytetin e Durrësit, së bashku me mjete të tjera për prodhimin e këtyre minave, si nastro, tela elektrike, kacavida, telefona celulare. Ata janë Febjus Dauti, 31 vjeç, Dashnor Dumani 30 vjeç, Asllan Plaku dhe Bledar Plaku, përkatësisht 24 dhe 31 vjeç. Ndërsa atentatet e tjera bëheshin ndaj personave me precedentë në të kaluarën, bomba që shpërthehu në automjetin e drejtorit të burgut të Fushë-Krujës është një goditje direkte për shtetin. Në institucionin që drejtohet nga drejtori i plagosur vuajnë dënimin emra shumë të njohur dhe të rrezikshëm të botës së krimit. Ndërkohë që hetimet e policisë për këtë atentat janë të përqëndruara te shkaqet e detyrës.

Advertisement