Apeli lë në burg Vangjush Dakon!

Gjykata e Posaçme e Apelit la në burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon, duke rrëzuar kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë.

Me argumentin se nuk ka rrezikshmëri dhe në fazën e hetimeve, nuk përbën rrezik për prishje të provave, Dako i kërkoi Apelit hetim në gjendje të lirë. Argumente që nuk u pranuan.

Advertisement

Po kështu, nuk ka ndryshuar masa e sigurisë as për Fiqiri Farrukun që është ndërtuesi i pallatit si dhe Fatmir Ejupi, Meri Semini (Priftuli), Ferzilet Hajderi, Fiqiri Farruku, Adrian Bulku.

Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako u arrestua me akuzën e “shpërdorim detyre” në dy raste.

Së pari, sipas Prokurorisë, ai dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë kanë lejuar ndërtimin e një pallati nga ndërtuesi Fiqiri Farruku në qendër të Durrësit pa asnjë dokumentacion, i cili konsiderohet i nevojshëm për nisjen e punimeve.

Dhe episodi i dytë për të cilin akuzohet Dako lidhet me përllogaritjen gabim të fondit limit të një tenderi në 2014 dhe dhjetëfishuar vlerën e tij, duke i shkaktuar buxhetit të Bashkisë 16 milionë Lekë dëm.