Anulohet premiera e filmit “Terminator: Dark Fate” në LA

Zjarret dëmtojnë edhe kulturën. Tapeti i kuq i cili u planifikua që të shtrohet në Los Angeles për paraqitjen e yjeve të filmit të ri “Terminator”, u anulua për shkak të zjarreve të cilat po përhapen në Californi. Për këtë, kompania filmike Paramount, përmes një mesazhi publikisht njoftoi se “për shkak të zjarreve të cilat vazhdojnë të jenë aktive dhe duke u zgjeruar në Californi, kompanitë Paramount Pictures dhe Skydance anulojnë shfaqjen e premierës së filmit “Terminator: Dark Fate”. Paramount po ashtu ka njoftuar se ushqimin që është planifikuar për gostinë pas shfaqjes së filmit, do t’ia dorëzojnë kryqit të kuq amerikan, për personat e prekur nga ky dëm. Në mesin e yjeve të caktuar për të ndjekur këtë premiere në LA ishte edhe aktori Arnold Schwarzenegger, i cili sipas disa burimeve, është dashur të largohet nga shtëpia e tij për shkak të zjarreve, pasi që edhe ai jeton në atë pjesë. Schwarzenegger madje për këtë ka postuar në Twitter një shkrim ku ka thënë se është evakuuar në mëngjes dhe se ai u sugjeron të tjerëve të cilët janë në zonën e evakuimit, të largohen. Ai ka shkruar se është mirënjohës për të gjithë zjarrfikësit e botës, të cilët bëjnë punë të madhe në shuarjen e zjarreve, e po ashtu edhe për zjarrfikësit e vendit të tij të cilët janë heronj të vërtetë, e të cilët sfidojnë jetën për t’i mbrojtur kalifornianët. Zjarret të cilat filluan në mëngjesin e së hënës kanë përfshirë një pjesë të Californisë dhe ato po përhapen. Së paku tetë shtëpi u dogjën nga zjarri në Los Angeles dhe pesë të tjera u dëmtuan, thonë zyrtarët. Guvernatori i Californisë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vend, ndërkohë që zjarret vazhdojnë të përhapen. Sa i përket filmit “Terminator: Dark Fate”, në vende të tjera të SHBA-së është caktuar të shfaqet nga data 1 nëntor 2019.

/21Media/