Angli | Rama i ftuar në “Hard Talk”, flet për gjendjen në Shqipëri

Kryetari i Partisë socialiste, njëherësh kryeministri i ardhshëm Edi Rama, në programin televiziv “Hard Talk” të rrjetit televiziv britanik BBC foli me gazetaren Sara Montague lidhur me gjendjen e përgjithshme në Shqipëri, 21 janarin, korrupsionin, shëndetësinë dhe reformat që do të ndërmerren pas marrjes së pushtetit. Rama e cilësoi si të tmerrshëm vendimin e gjykatës për 21 janarin. Ai tha se gjyqi duhet të vazhdojë dhe qeveria do të përpiqet që ky gjyq të mos jetë me farsë. “Vendimi për 21 janarin ishte i tmerrshëm. Mendoj që këto ngjarje nuk do të harrohen kurrë dhe them se nuk mund të gjykohen më me mënyrën e vjetër, pra atë të transformimit të fakteve. Do bëjmë gjithçka mundemi për një proces të drejtë dhe të pavarur. Kjo ka të bëjë me drejtësinë. Berisha ka pasur përgjegjësinë e tij për ngjarjen. Gjyqi për 21 janarin duhet të vazhdojë. Ne do bëjmë gjithçka mundemi që të ketë një proces, që familjet e viktimave të asistohet në mënyrën e duhur.” Ai theksoi se korrupsioni mbetet vërtet problem dhe vendi ka nevojë për një varg reformash. “Ka probleme për mbledhjen e taksave, sidomos në dogana. Sistemi doganor është i korruptuar, por ka shembuj që ne mund ta ndryshojmë. Pastrimi i korrupsionit sjell më shumë investime, më shumë të ardhura. Kemi gjetur mënyrën të bëjmë reforma. Ne do ndjekim historitë e suksesit jashtë vendit, që kanë treguar se korrupsioni mund të mposhtet. Kemi nevojë për reforma të thella, kemi edhe vullnetin.” Rama tha se nuk do të ketë spastrime te administrates siç është folur. “Ka njerëz të vlefshëm edhe brenda këtij sistemi të prishur. Nuk do të shpikim ndonjë gjë, por do të ndjekim historitë e suksesit të vendeve të tjera, të cilat kanë treguar se korrupsioni mund të mposhtet. Kemi nevojë për reforma të thella dhe vullnet, ne i kemi të gjitha.” Për gjendjen ekonomike në Shqipëri, kryeministri i zgjedhur tha: “Po presim për një program të vecantë nga FMN dhe BB, shpresojmë që ky program të dalë para hartimit te buxhetit te ri.” Duke komentuar zgjedhjet, Rama tha se ato ishin prova që treguan se Shqipëria ka kaluar në një nivel të ri. Ndersa shtoi se me ish-kryeministrin, Tony Blair ka diskutuar sesi mund të ndihmojë Shqipërinë për të kryer të gjithë operacionin dhe për të ecur përpara, bazuar në disa përparësi kyce, me reforma dhe për të mos humbur fokusin. Sipas Ramës, Shqipëria duhet parë si “një vend i vogël, shumë tërheqës dhe shumë funksional. Kemi njerëz që kanë treguar se kur vihen në kushte pune mund të bëjnë gjëra të mëdha”, tha ai ne programin Hard Talk te rrjetit BBC.

Advertisement